Masa mbështetëse për subvencionimin e faturave të energjisë, Murati jep detajet

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka folur për pakon e re për rimëkëmbje ekonomike në vend për qytetarët.

Murati në një konferencë për media me kryeministrin e vendit, Albin Kurti ka thënë se qeveria çdo cent që e mbledh e rikthen tek qytetarë në shërbim të rritjes së mirëqenies së tyre.

Ai tha se sa i përket subvencionimit të faturave të energjisë elektrike kjo masë do të filloj së aplikuari në muajin nëntor.

“Nga sot duhet të fillojmë të kursejmë. Këtu patjetër ka mënyra të ndryshme të kursimit. Subvencionimi do të jetë asisoj që kushdo që kursen në muajin shtator dhe kursen më shumë se që ka shpenzuar në muajin shtator të vitit të kaluar do të subvencionohet. Për të këtë përqindje ne do ta mbështesim. Te gjithë qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi të dhënat janë në zyrën e rregullatorit”, tha ai.

Ndërsa për Projektligjin për Punë Publike, Murati tha se është draftuar dhe pasi të kryhen konsultimet e brendshme, pritet të kryhen dhe ato publike e pastaj do të procedohet në qeveri.

E, sa i përket masave të tjera të dyfishimit të asistencës sociale ai tha se do të filloj nga ky muaj, “edhe për shtesat e sektorit publik do të fillojnë nga ky muaj”.

Ministri po ashtu tha se do të subvencionojnë edhe sektorin privat, e kjo vlen siç tha ai për ato biznese që ua rrisin pagat punëtoreve të tyre.

Ai tha se shteti do të subvencionojë gjysmë e pagës së tyre (të cilët marrin rritje të rrogës nga biznesi) për tre muajt e ardhshëm.

“Edhe sektori privat ka nevojë për ndihmë. Si rrjedhojë kemi parapa që të mbështesim dhe të subvencionojmë të gjitha bizneset që i rrisin pagat e tyre. Shteti do ta subvencionoj gjysmën e pagës së tyre për tre muajt e ardhshëm. Ndërsa për studentët dhe bizneset do të ju njoftojmë gjatë ditëve në vijim”, tha ai. 

Go to TOP