Kampionati Evropian U18 në Beach Volley: Grupe të vështira për Kosovën

Tashmë janë përcaktuar grupet e Kampionatit Evropian të volejbollit në rërë U18, që do të zhvillohet mes datave 1-4 shtator në Lutraki të Greqisë.

Kosova, e përfaqësuar nga çiftet Megi Bislimi/Rrezelinë Thaqi te femrat, dhe Etrit Bajrami/Gani Rexhepi te meshkujt, do të marrë pjesë direkt në fazën e grupeve.

Sa i përket konkurrencës së meshkujve, “Dardanët” marrin pjesë ne Grupin C, së bashku me Italinë, Ukrainën dhe Turqinë.

Te femrat, Kosova garon në Grupin B, ku merr pjesë edhe Ukraina, Rumania dhe Greqia 3.

Vashat e drejtuara nga trajneri Lorik Ilazi ndeshjen e parë e zhvillojnë nesër, 1 shtator, me fillim nga ora 09:00 kundër dyshes rumune Miu/Kereszlesi. Ndërsa ndeshjen e dytë e zhvillojnë po në të njëjtën ditë, kundër rivaleve ukrainase Nitsenko/Sheremetieva, me fillim nga ora 15:20.

Kur flasim për meshkujt, djelmoshat e drejtuar nga trajneri Fatlum Hajrizi, ndeshjen e parë e luajnë nesër, 1 shtator, kundër Italisë me fillim nga ora 12:50.

FVK u uron ekipeve kosovare fat dhe përfaqësim sa më dinjitoz në këto grupe të vështira. /Kosova.info/

Go to TOP