AKB: Traditën e zhvillimit industrial në Gjakovë e rikthen vetëm sektori privat
Një delegacion i AKB i kryesuar nga kryetari, Agim Shahini, e i shoqëruar nga kryetari i regjionit Gjakovës, Argjend Fetahu, vizituan sot fabrikën e tekstilit “EximTex Group” në Gjakovë.
Delegacioni i AKB-së është njoftuar për punën dhe suksesin e arritur nga kjo fabrikë prodhuese e tekstilit dhe për planet e ardhshme të investimeve, nga drejtori i kësaj fabrike, Bashkim Hasanaj.
Pas takimit, kryetari Shahini, i shoqëruar nga drejtori i kompanisë kanë vizituar repartet prodhuese të veshjeve dhe janë takuar me punëtorët e fabrikës.
“E vlerësojmë lartë punën e “EximTex Group”, është një kënaqësi e veçantë kur vizitoj një prej bizneseve më të suksesshme dhe më të fuqishme në fushën e tekstilit, në Republikën e Kosovës, ku prodhimet e tyre janë në tregjet e Gjermanisë, Zvicrës, etj., ku më punën e tyre, ka të punësuar rreth 70 vende të reja të punës në Republikën e Kosovës, shpresë e vetme e zhvillimit të industrisë dhe prodhimit Gjakovës është sektori privat i cili mund të rikthen traditën shumë vjeçare Gjakovës”, tha Shahini.
Ai tha se, si Aleancë Kosovare e Bizneseve e kemi për detyrë dhe mision për të mbështetur bizneset, prandaj edhe qëllimi i vizitës është që të bashkëbisedojmë, por në të njëjtën kohë të informohemi për punën që po bëhet, për mundësitë e reja të bashkëpunimit.
“AKB ka ngritur zërin çdoherë kur bizneset tona janë përball me problemet dhe sfidat dhe do të vazhdojmë të jemi zëri i fuqishëm në mbrojtje të biznesit, duke ngritur zërin tek institucionet e Qeverisë se Kosovës, për krijimin e kushteve dhe klimës edhe më të mirë për biznesin kosovar”, tha Shahini.
Drejtori i kompanisë, Bashkim Hasanaj, falënderoi delegacionin e AKB për punën dhe kontributin që po e bëjnë si Aleancë Kosovare të Bizneseve, si zë i fuqishëm i mbrojtjes së bizneseve.
Ai po ashtu prezantoj historinë e biznesit, punën dhe sfidat që po përballën çdo ditë me procedurat dhe barrierat e te berit biznes.
“Ne si familje jemi ardhur nga Gjermania për të bërë biznes në Republikën tonë me motive të gjenerimit të vendeve të punës, siç është edhe ky repart i prodhimit. Ne kemi projekte dhe do të vazhdojmë edhe më tutje me investime të tilla dhe bashkëpunimi më AKB do jetë ndihmë për kompaninë tonë dhe zgjerimin e saj”, tha Hasanaj. /Kosova.info/
