Sejdiu: Nënshkrimi i djeshëm ishte isharet që Kurti është i gatshëm për marrëveshje me Serbinë

Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka komentuar marrëveshjen për energjinë e cila u nënshkrua dje mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Ai tha se gjuha në marrëveshjen e parë, e cila ishte nënshkruar vite më herët, gjuha ishte shumë më e qartë sa i përket trafo-stacionit të Vallaqit, pasi sipas tij, në marrëveshjen e parë thuhet se udhëzimet i jep qendra dispeçere e Kosovës, ndërsa në marrëveshjen e nënshkruar dje thuhet se “do të ketë qasje”.

“Në njërën është se KOSTT-i lidhet në Vallaq dhe qendra e dispeçeresië është ajo që i jep instruksionet se si operohet me Vallaq, ndërsa në marrëveshjen e re flitet se veç do të ketë qasje në të”, është shprehur Sejdiu në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, Sejdiu tha se sa i përket marrëveshjeve, kjo është nisje e një procesi të rëndësishëm për Kosovën, që është një isharet i Kurtit që është i gatshëm për marrëveshje, e që Sejdiu e cilësoi si lajm të mirë.

Ai ka kujtuar edhe kohën kur ishte nënkryetar i VV-së në pushtet, që sipas tij, nuk ka dallim prej kompromiseve që i ka kundërshtuar.

“Kemi qenë kundër kësaj marrëveshjeje pasi që kemi konsideruar që është ndërhyrje direkte e Serbisë në rrjetin tonë energjetik”.

“Kurti e ka pa gjithçka nën optikën e sovranitetit të Kosovës, cenimit dhe vështirësimit të sovranizimit me anë të këtyre marrëveshjeve por, për mua është lajm i mirë që Kurti si duket ka kuptuar që pritet një lloj ecje më e shpejtë përpara në marrëveshje me Serbinë”, është shprehur Sejdiu.

Më tej, ai tha se marrëveshja për energjinë ka qenë një tentativë e qeverisë që të dëshmojë se janë të gatshëm të bëjnë ca kompromise përpara vendimeve që do të merren për Ballkanin në mbledhjen e Këshillit të Evropës, duke aluduar në liberalizimin e vizave.

“Kjo ka qenë një shtysë për Kurtin e qeverinë e tij. Ajo çka është interesant për Kurtin është që vet nuk është nënshkrues i asnjërës prej tyre”.

“Për mua, vazhdimi i këtyre temave i ka në vete dy probleme. Nëse analiza ime që Kurti po ndërton pozicion më të mirë për marrëveshje përfundimtare me këtë dhe me këso lloj marrëveshje bie në ujë. Është lajm i mirë për faktin se po tregon që është i gatshëm të negocioj por mendoj se kjo është në kuadër të liberalizimit të vizave”, është shprehur Sejdiu.

Vllahiu: Kurti e ka marrë vesh që realiteti nuk është ajo që shkruhet në libra

Të martën Kosova dhe Serbia, në kryeqendren evropiane në Bruksel, nënshkruajtën zotimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur në vitin 2013 dhe 2015-të.

Me anë të këtij zotimi do të nis faturimi i energjise elektrike edhe në veriun e Kosovës.

Tema e sontme e emisionit Rubikon në Klan Kosova ishte pikërisht zotimi për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që u arrit në Bruksel.

Lidhur me këtë opinionisti Arbër Vllahiu, tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka marrë vesh se realiteti është ndryshe nga libri.

“Zoti Kurti e di mirë ose e ka marrrë vesh rrugës se realiteti është ndryshe prej librit. Realiteti nuk është ajo që shkruhet në libra, realiteti është ajo me të cilën ti përballesh, me të cilin ti ke për të vepruar, me të cilën ti për të punuar”-tha Vllahiu.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje pati instaluar dhunë politike për ta bërë Albin Kurtin kryeministër.

“Tani problemi më i madh është që Lëvizja Vetëvendosje ka pas instaluar dhunë politike në skenën politike në Kosovë. Dhe unë e kam parë dhunën politike si mjet për arritjen e qëllimeve politike dhe mjeti për arritjen e qëllimeve politike ka qenë synimi themelor ka qenë për të vëne zotëriun Albin Kurti, kryeministër”- theksoi ai.

“Pra, ne kthehemi në histori dhe e shohim që Lëvizja Vetëvendosje nuk është krijuar për të ndryshuar koncepte por është krijuar për të sjell dikë në pushtet. Ky është problemi”.

Tahiri: Me këtë udhërrëfyes, Kurti tregoi se s’mundi ta realizonte premtimin e tij kapital

Besnik Tahiri, gazetar në Klan Kosova, tha se me udhërrëfyesin e djeshëm për zbatimin e marrëveshjes për energji, kryeministri Albin Kurti, ka treguar se nuk ka mundur të realizonte premtimin e tij, siç thotë Tahiri, kapital, për rishikimi të detajuar të marrëveshjeve të Brukselit.

Sipas tij, ky udhërrëfyes nuk ka asgjë më shumë sesa marrëveshja e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015.

“Me këtë udhërrëfyes, kryeministri Kurti u ka treguar njerëzve që nuk mund ta realizojë premtimin e tij kapital që tha se do të rishikojë në detaje 22 marrëveshjet e Brukselit. nuk është rishikuar kjo, pasi është veç finesa e marrëveshjes së 2013 dhe 2015 dhe është thjesht një udhë rrëfim që nuk ka asgjë të re ose më ekskluzive sesa marrëveshja e 2013 dhe 2015”, ka thënë Tahiri në Rubikon.

Ai madje tha se dje në Bruksel, pati një zotim, jo nënshkrim të dokumentit. Sipas tij, ajo ishte një letër A4 me nëntë pika.

“Sipas udhërrëfyesit të zotuar dje, jo që është nënshkruar, pasi dokumenti që është paraqitur nga zyra e Lajçakut nuk ka asnjë nënshkrim, është një dokument, letër A4 me nëntë pika, që janë zotimet e një udhërrëfyesi se si të zbatohet marrëveshja e 2013-ës dhe përpos 2013-ës, se si të zbatohen specifikimet që janë bërë më 2015, kur kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, në fund të gushtit, kishte arritur marrëveshje me Vuçiqin”, ka shtuar ai.

Tahiri tha se marrëveshja e arritur në mes të Mustafës e Vuçiqit, ishte tamam marrëveshje ku u përpos çështjes së energjisë, u arrit edhe marrëveshja për drejtësi, e të tjera.

“Ajo quhet marrëveshje, për shkak se përpos me çështjen e energjisë në veri të Kosovës, ishte arritur edhe marrëveshja për drejtësi, pastaj ishte edhe çështja e një operatori telefonik serb, që tash është rehatuar dhe e ka një zyrë super luksoze në Mitrovicë, afër urës. Dhe kur jemi te ura, është edhe pika e 4-të e asaj marrëveshjeje, që ka të bëjë me lëvizjen e lirë, me hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë dhe prej 2015-ës, me gjasë kjo qeveri duhet ta shtyjë edhe pikën për urën e Ibrit që të kompletohet si e zbatuar, marrëveshja e specifikuar në 2015”, ka thënë ai.

Ai tha se Kurtit i është qartësuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholtz, se duhet t’ zbatojë të gjitha marrëveshjet, të cilat janë arritur në 10 vitet e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, formati i Brukselit, njofton Klankosova.tv

Edhe udhërrëfyesi amerikan edhe ai evropian, thonë se duhet të mbyllen të gjitha çështjet e hapura që ekzistojnë.

Sipas Tahirit, në darkën joformale të Kurtit me Vuçiqin në Gjermani, është diskutuar për çëshjten e energjisë.

“Pati një darkë jo formale me Vuçiqin, me ndërmjetësim të Lajçakut, e cila është bërë ekskluzivisht nga qeveria e Gjermanisë, pikërisht për t’u folur për çështjet e energjisë, ndonëse publikisht është thënë diçka tjetër. Një ditë më pas, kur Kurti u kthye në Prishtinë dhe erdhi në vizitë ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht, kryeministri flet për një lloj gatishmërie që të arrihet marrëveshja për energjinë dhe po ashtu të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët që pritet të nënshkruhet mes tij dhe presidentit të Serbisë, për çështjen e personave të pagjetur dhe të zhdukur”, tha ai.

Ai foli edhe për kompaninë e energjisë ElektorSever, e cila sipas tij, do ta ketë bazën në Mitrovicë dhe ku pagesat do të bëhen në mënyrë retroaktive.

Go to TOP