Pas shqetësimeve për ujin e pijshëm në disa fshatra të Deçanit, merren mostra për analiza
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se me kërkesë të ndërmarrjes regjionale “Hidro-Drini” në Pejë, janë marrë mostra të ujit të pijes nga disa fshatra të Deçanit, nisur nga shqetësimi se uji është turbulluar si pasojë e të reshurave.
“Janë bërë analizat fiziko-kimike, nesër dhe pasnesër do t’i kemi edhe analizat bakteriologjike të këtyre mostrave”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Në koordinim me ministrin e pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja Dafina Gexha Bunjaku, ka komunikuar me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për t’u informuar për nga afër.
“Gjithashtu, MSh është në kontakt të vazhdueshëm edhe me IKShPK edhe me Zyrën rajonale të IKShPK-së në Pejë dhe me Ministrinë e Ekonomisë – dikasterin përkatës qeveritar, që i mbulon ndërmarrjet e ujësjellësve”.
