Gruaja e presidentit ukrainas shihet për herë të parë në publik që nga fillimi i luftës
Olena Zelensky, gruaja e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt, këtë të diel, e ka pasë paraqitjen e saj të parë publike prej fillimit të luftës atje, më 24 shkurt të këtij viti.
Olena u pa në qytetin perëndimor, Uzhhorod, derisa u takua në një shkollë me zonjën e parë të shtetit amerikan, Jill Biden, e cila e kishte një vizitë të papritur në Ukrainë.
Uzhhorod është një qytet me 100,000 banorë pak milje larg kufirit me Sllovakinë. Popullsia e qytetit është dyfishuar javëve të fundit, për shkak të numrit të njerëzve të cilët shkojnë aty për t’u larguar më shpejtë nga Ukraina.
Mediat e huaja deri tani nuk kanë raportuar saktë se ku është duke qëndruar Olena, por ajo para disa jave në një intervistë për Vogue kishte thënë se Volodymyr Zelensky nuk e kishte parë familjen e tij që nga fillimi i luftës me Rusinë, që i binte më shumë se një muaj e gjysmë.
Zelenska iku në një pjesë të pazbuluar të Ukrainës me fëmijët e tyre, 9 dhe 17 vjeç, menjëherë pasi Rusia pushtoi vendin dhe pallati presidencial u shndërrua në një bazë ushtarake.
Ajo tha se “nuk kishte kohë për emocione” atë mëngjes kur familja kuptoi se lufta kishte filluar.“’Filloi lufta!’. Kjo është gjithçka që ai (Zelensky) tha”, u shpreh ajo për revistën Vogue, transmeton Klankosova.tv.
“Ne u urdhëruam të shkonim në një vend të sigurt – nëse, në Ukrainë, është e mundur të gjejmë një vend të sigurt këto kohë”, ka thënë Zelenska.
Ajo bashkë me Jill Biden u panë bashkë në Ditën e Nënës në Ukrainë, në një paraqitje për media ajo ka theksuar se zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë një hap të guximshëm duke e zhvilluar këtë vizitë në Ukrainë.

