AP e OKB-së i shton ‘përgjegjësi’ vetos së Këshillit të Sigurimit
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të martën një rezolutë që kërkon që anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të dalin përpara asamblesë për të shpjeguar përdorimin e të drejtës së vetos. Rezoluta është miratuar me konsensus, që do të thotë se disa shtete anëtare nuk është dashur të votojnë, raporton Anadolu Agency, shkruan Kosova.info.
E drejta e vetos së pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit – Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe ShBA – u lejon atyre të refuzojnë individualisht çdo rezolutë të Këshillit nëse ata dëshirojnë. Gjatë historisë, atyre nuk u është kërkuar të justifikojnë asnjë veto që kanë vendosur.
Megjithatë, një rezolutë e sapo miratuar thërret automatikisht Asamblenë e Përgjithshme nëse ndonjë anëtar i përhershëm vë veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit. Ideja për të shtuar përgjegjësinë në fuqinë e vetos nuk është e re, por ajo u forcua për shkak të luftës së vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës.
Rusia kohët e fundit vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit që i bën thirrje Moskës të përfundojë menjëherë sulmin dhe të tërheqë të gjitha forcat. Projekt-teksti i shkurtit pati mbështetjen e 11 prej 15 vendeve anëtare të këshillit.
Rusia është përdoruesi më i shpeshtë i vetos. Vetoja e parë u përdor nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1946 dhe Rusia deri më tani ka vënë veton mbi 120 rezoluta. Vetoja e Kremlinit ishte veçanërisht e theksuar gjatë konfliktit të vitit 2011 në Siri. Kina gjithashtu ka vënë veton ndaj rezolutave në lidhje me Sirinë, duke përfshirë planet për përdorimin e armëve kimike dhe dërgesat e ndihmave ndërkufitare. Rusia pasohet nga Shtetet e Bashkuara , të cilat deri më tani kanë vënë veton në 82 rezoluta, shumica e të cilave i referohen Izraelit. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nuk e kanë përdorur të drejtën e vetos që nga viti 1989.
Rusia e kundërshtoi me forcë rezolutën, duke thënë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme se vetoja nuk duhet të kontrollohet dhe se masa tregon “mungesë vullneti të disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për të dëgjuar dhe marrë parasysh pikëpamjet e të tjerëve”. “Vetoja është, sigurisht, një mjet i fundit dhe po përdoret në një kohë kur opsionet e tjera janë ezauruar,” tha Genadi Kuzmin, zëvendës i dërguari i Rusisë në OKB. /Kosova.info/
