Ambasadorja Yuri Kim: Berisha është shpallur “non grata” bazuar në fakte, të korruptuarit janë rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim deklaroi në nëntor të vitit që shkoi se shpallja “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjarët e tij nga SHBA-të u mbështet vetëm në fakte, duke theksuar se një vendim i tillë erdhi përmes një procesi shumëvjeçar të shqyrtimit të gjithë informacionit.
“Ne shohim faktet dhe nuk shohim partinë politike të dikujt. E di që ka disa teori konspirative sikur kjo vë në shënjestër një krah apo tjetrin. Do vija në dukje që deri më sot janë katër persona që janë shpallur nga Sekretari i Shtetit, besoj nga 2018. Dhe shumica e tyre nuk janë me Partinë Demokratike, pra, partia s’ka fare të bëjë me këtë. Ne shohim faktet; e gjitha kalon në një proces shumëvjeçar zakonisht, ku shqyrtojmë të gjithë informacionin. Vendimmarrësit bëjnë më shumë pyetje dhe në çastin kur vendimi arrin në tryezën e Sekretarit të Shtetit, pavarësisht kush është, ne jemi 100 përqind të sigurt. Dhe fakti është po ashtu që kur dikush shpallet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë; shikoni edhe të tjerët që Shtetet e Bashkuara kanë shpallur në botë; në atë listë nuk është askush që njerëzit e shohin shpalljen dhe mendojnë: kjo qenka mister. Nuk është mister. Faktet janë përpara syve. Ndaj ne jemi shumë të bindur me shpalljet tona dhe duhet t’ju them që Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë përmes disa prej Urdhrave Ekzekutivë të tij dhe një Proklamate Presidenciale në qershor që, për Shtetet e Bashkuara, korrupsioni është një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare”, nënvizoi ambasadorja Kim.
