Ukraina: Rusia është fokusuar në shënjestrim të civilëve nga ajri
Bombat ruse vazhdojnë të godasin popullsinë civile në Ukrainë, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në Ukrainë.
Në një postim në Facebook, forcat e armatosura të Ukrainës kanë thënë se operacionet “e pasuksesshme” ushtarake të Rusisë në territore tokësore, nënkuptojnë se ajo është duke e fokusuar betejën në ajër – duke shënjestruar infrastrukturë dhe zona të banuara me civilë në qytetet ukrainase.
Ukraina ka pretenduar se është duke fituar betejën në ajër dhe tokë, duke thënë se ka rrëzuar 10 shënjestra ajrore të Rusisë.
Radio Evropa e Lirë nuk mund të verifikojë këto pretendime.
Në deklaratë është thënë edhe se Rusia është duke kryer sulme kibernetike, është duke shkatërruar ndërtesa të radiove dhe televizioneve, si dhe është duke përhapur dezinformata për pushtimin.
