Dita e tetë e luftës në Ukrainë është shënuar me incidente të mëdha
Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të ngjarjeve dhe reagimeve kryesore në orët e fundit.
- Forcat ruse sulmuan termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën juglindore duke shkaktuar zjarr të madh që më pas u shua.
- Sipas autoriteteve ukrainase, disa persona janë vrarë apo janë plagosur si pasojë e sulmit te centrali bërthamor.
- Sipas agjencisë bërthamore të OKB-së, asnjë dëm nuk u shkaktua në reaktorët e centralit bërthamor në Zaporizhja
- Forcat ruse bombarduan gjithashtu kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe rrethuan disa qytete të tjera.
- Ukraina thotë se po ndalon avancimin rus në portin Mykolayiv të Detit të Zi.
- Kremlini ka bërë thirrje për unitet kombëtar rus. “Tani nuk është koha për t’u përçarë, tani është koha që të gjithë të bashkohen… dhe natyrisht të bashkohemi rreth presidentit tonë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
- Të paktën 331 civilë janë konfirmuar të vrarë dhe 675 të plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, por numri real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, tha zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.
- Aleatët e NATO-s kundërshtuan kërkesën e Ukrainës për zona të ndaluara për fluturime, duke thënë se një ndërhyrje e tillë e drejtpërdrejtë do të çonte në një luftë edhe më brutale.
- Rusia kufizoi qasjen në faqet e internetit të disa organizatave të huaja të lajmeve, përfshirë BBC-në për përhapjen e “informacionit të rremë”. Parlamenti rus miratoi një ligj që vendos dënime deri në 15 vjet burg për përhapjen e informacionit “të rremë” në lidhje me forcat e armatosura.
