Dalin detajet e reja, si u tentua grabitja e bankës përmes tuneleve të nëndheshme, ja si u zbuluan nga policia dhe çfarë u gjet brenda tyre

Tunele të nëndheshme për të mbërritur tek banka e ndodhur në bulevardin “Zogu I” në Tiranë. Një plan i ngjashëm me atë të njohur të serialit të Netflix ‘La Casa de Papel’ dhe shumë të ndjekur kudo në botë dhe në Shqipëri, por që është kapur në kohë nga policia.

Grabitësit kishin pikasur një bankë të nivelit të dytë për të grabitur që ndodhej brenda një qendre tregtare dhe për të hyrë brenda saj kanë përdorur tunelet dhe kanalet nëntokësore të bulevardit të ri “Zogu I”.

Autorët të veshur me jelekët e punës të punonjësve që kryejnë shërbime aty në mënyrë që të kamufloheshin ka lehtësuar punën e tyre për të hyrë në kanalet e ujërave të zeza dhe më pas për të gërmuar  me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë.

Por autorët u pikasën nga Forcat Shqiponja, të cilët panë njërin prej tyre të dilte nga kanali i ujërave të zeza. Grabitësi sapo pa efektivët hodhi armën e tij në kanal dhe u largua me vrap. Kjo ka bërë që efektivët të shkojnë menjëherë në zonë, ku zbuluan armën dhe më pas nga hetimet u zbuluan gërmimet që ishin bërë nga grabitësit për të vjedhur bankën e nivelit të dytë.

Dyshohet se grabitësit kanë pasur hartën e tunelit dhe dinin ekzaktësisht se si mund të shkonin duke gërmuar brenda ambienteve të bankës dhe për këtë arsye po hetohet se ata mund të jenë ndihmuar nga punonjës të elektricistëve dhe të mirëmbajtjes së tunevele nëntokësore, të cilët mund t’i kenë dhënë planimetrinë e zonës së ndërtuar.

Mësohet se brenda tunelit janë gjetur prova materiale të cilat janë çuar në laborator për përfitimin e gjurmëve të gishtave apo materialeve biologjike për identifikimin e autorëve.


Go to TOP