Dedaj: Të ndalet linçimi brutal dhe diskreditimi im institucional dhe antikushtetues
Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, ka theksuar edhe njëherë se shkarkimi i tij nga misioni diplomatik në Maqedoninë e Veriut ishte skandaloz, antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës.
Dedaj në një intervistë për “Epokën e re” për këtë shkarkim ka fajësuar presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, që sipas tij, në këtë pozitë e vendosi bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.
“Pas shkarkimit brutal dhe skandaloz të cilin ma ka bërë presidentja Osmani, ajo ka sjell në krye të ambasadës në Shkup bashkëshortin e saj, dukuri kjo e shteteve dhe tiranive monarkiste dhe diktatoriale”, është shprehur Dedaj, i cili për shkarkimin e tij ka drejtuar edhe akuza në adresë Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila drejtohet nga Donika Gërvalla.
Ai ka treguar se për shkarkimin e tij të shpejt nga pozita e ambasadorit ka ushtruar padi në gjykatë.
Dedaj ka thënë se me ketë qeverisje vendi nuk ka progres. Sipas tij, në politiken e jashtme ka ngecje, kjo thotë se po vërehet në të gjitha institucionet.
“Vërehet një rrenim i diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës. MPJD ngjan në një OJQ apo zyrë partiake, ndërkaq ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë mbushur me militantë partiakë dhe amatorë. Po ashtu vërehet një ftohje e raporteve me SHBA-të, BE-në dhe Shqipërinë”, ka thënë ai.
Përveç pandemisë, ish-ambasadori Dedaj ka theksuar se Kosovën e kanë goditur rëndë problemet sociale dhe ekonomike. “Rritja e pakontrolluar e çmimeve të energjisë dhe kostos ditore të jetesës, të cilat janë buzë shpërthimit dhe revoltës qytetare”, ka deklaruar ai.
Dedaj ka thënë se do të vazhdojë të jetë aktiv në politikë.
Ai thotë se Kosova duhet t’i ruajë miqtë e saj euroatlantik, SHBA-të, NATO-n dhe BE-në.
Pjesë nga intervista:
“Epoka e re”: Z. ambasador Dedaj u bënë më shumë se tetë muaj nga shkarkimi juaj nga pozita e ambasadorit në Shkup, na tregoni se çfarë jeni duke bërë tani?
Dedaj: Ç’ është e vërteta largimi im nga kreu i ambasadës së Kosovës në Shkup nga presidentja Osmani ishte skandaloz, në kundërshtim me ligjin, antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës. Pra, largimi im ishte brutal, linçim, tentim për diskreditim dhe puro hakmarrje mesjetare politike. Te 12 ambasadorët brilantë të Kosovës u shkarkuan politikisht në qendrat kryesore të vendosjes, gjë të cilin unë e vlerësova si një tentim për grushtshtet me metoda diktatoriale, mu për këtë 11 ambasadorëve të tjerë iu dha afati prej tre muajve për të kryer përmes procedurave të rregullta misionin e tyre diplomatik, kurse vetëm mua, kundërligjshëm dhe në mënyrë ultimative, jonjerëzore, më është dhënë afat vetëm një ditë për ta liruar misionin. Ky ishte atak në personalitetin tim dhe në përfaqësinë e shtetit të Kosovës. Ky veprim i kreut të shtetit, e cila me Kushtetutën e Kosovës obligohet dhe personifikon unitetin qytetar, në fakt ishte kundërkushetues, përçarës dhe kundër unitetit qytetar. Ishte thjesht një hakmarrje politike e cila nuk ndodhë në shtetet demokratike por në vendet e diktaturave dhe huntave ushtarake. Zonja e parë, veç tjerash këtë e bëri për ta sjell në krye të ambasadës “zotëriun e parë”, respektivisht bashkëshortin e saj, praktikë kjo staliniste dhe nepotiste.
Një politikë e tillë përçarëse dhe keqpërdoruese ka sjell edhe zhgënjimin qytetar, jo rastësisht në sondazhin e fundit ajo ka vetëm 7 për qind të besueshmërisë qytetare dhe nëse vazhdon kështu nuk ka legjitimitet qytetar për të qenë në krye të Republikës së Kosovës, e për këtë duhet të mendojnë institucionet e shtetit tonë. Megjithatë unë këtë kohë sa jam pa punë dhe angazhimin tim po ia kushtojë familjes sime, nipave, mbesave dhe miqve të mi, të cilët më kanë munguar shumë, si dhe po shkruaj për tri dekadat e angazhimit tim të përgjakshëm politik, që nga vitet e ‘90-ta, duke qenë kontribuues i drejtpërdrejt dhe pjesë e të gjitha zhvillimeve historike të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në fakt kam menduar sikur ta kisha kryer misionin tim të rregullt ligjor katërvjeçar në krye të ambasadës në Shkup, ndoshta edhe të tërhiqem nga politika, por tani kam vendosur të vazhdojë betejat e mia politike për të dhënë kontributin tim për demokratizimin e Kosovës, vlerat euroatlantike, perspektiven evropiane, respektimin e barazisë dhe drejtësisë qytetare, etnike, fetare, racore dhe gjinore, mbrojtjen e të drejtave njerëzore, sundimin e ligjit si dhe kundërshtimin e nepotizmit, fanatizmit partiak, diskreditimit, kapjes së shtetit, cenimit të partneritetit me SHBA-të, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe dinamizimin e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Epoka e re”: A keni akoma kontakte me liderët dhe korin diplomatik të Maqedonisë së Veriut?
Dedaj: Për gjysmë mandati sa isha në krye të misionit në Shkup, në kohë shumë të rënda nga pandemia e virusit Covid-19 dhe angazhimet e mia diplomatike në shtetin mik dhe fqinj të Republikës së Maqedonisë së Veriut, jam pritur shkëlqyer nga institucionet dhe forcat politike, kori diplomatik, shoqëria civile, pushteti lokal, komunitetet fetare, mediat dhe bota e biznesit. Për çka jam shumë mirënjohës dhe falënderues për të gjithë. Rregullisht mbajë kontakte por edhe takime me personalitete dhe miq të shumtë në Shkup, me të cilët bisedoi për zhvillimet në Kosovë, për perspektiven euroatlantike të dy vendeve tona fqinje dhe të tërë rajonit. Natyrisht se i kam njoftuar edhe për tendencat e linçimit dhe diskreditimit tim, siç i kam njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare, të Bashkimit Evropian, ato të Këshillit të Evropës, të të drejtave të njeriut, institucionet politike, partitë parlamentare, institucionet e drejtësisë, sigurisë, të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, si dhe korin diplomatik të arkredituar në Kosovë.
“Epoka e re”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale, respektimin e të drejtave të njeriut, barazinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë?
Dedaj: Si promotor kampion dhe veteran i vlerave të liberal demokratike perëndimore dhe eurotlantike, si ish-nënkryetar i Internacionales Liberale me seli në Londër dhe ish-kandidat për nënkryetar të Aleancës Liberal Demokratike të Evropës (ALDE), me seli në Bruksel, asnjëherë nuk kam qenë ithtarë i pushtetit monist dhe njëpartiak. Në vendet në tranzicion siç është Kosova kjo nuk funksionon, duhet një gjithëpërfshirje, ndarje e përgjegjësive, unitet dhe ekspertizë në qeverisje, përvojë në legjislacion ku shumica deputetëve fatkeqësisht janë praktikantë. Andaj lypset eksperiencë për shtetndërtim, në negociata me Serbinë, në anëtarësimet ndërkombëtare, në politiken e jashtme dhe kjo në fakt po ngecë, nuk ka progres dhe vërehet një degradim institucional. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet debakel të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit dhe sondazhet për rënien drastike të besueshmërisë dhe legjitimitetit qytetar për institucionet e Kosovës. Njëkohësisht vërehet një rrenim i diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës. MPJD ngjan në një OJQ apo zyrë partiake, ndërkaq ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë mbushur me militantë partiakë dhe amatorë. Po ashtu vërehet një ftohje e raporteve me SHBA-të, BE-në dhe Shqipërinë, e cila gjë në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk do të duhej të ndodhtë. Partneriteti i thellë me këto vende është historik, strategjik dhe jetik për të ardhmen e Kosovës euroatlantike, demokratike si dhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Kushdo që cenon këtë partneritet rrënon lirinë dhe të ardhmen euroatlantike të shtetit të Kosovës. Zaten pavarësia e Kosovës është projekt i përbashkët me SHBA-të, BE-në dhe NATO. Pra janë bërë sakrifica shekullore dhe pavarësia i ka rrënjët e saja të angazhimeve politike që nga vitet e ‘90-ta, pastaj me luftën çlirimtare, të pastër dhe heroike te UÇK-së, konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, marrëveshjen e Kumanovës, planin e ish-presidentit Ahtisari, bisedimet në Vjenë dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Pretendimet dhe ambiciet narcisoide, të sëmura dhe të kota të rishkrimit të historisë janë vetëm humbje kohe. Historia tashme ka ndodhur dhe ajo Kosovës është shkruar dhe vulosur. Pushteti aktual dhe pushtetet tjera në vijimësi e kanë për obligim të respektojnë, sakrificat, dëshmorët, martirët dhe invalidët e UÇK-së, pastaj kushtetutën, ligjet, progresin ekonomik, barazinë qytetare, demokracinë, integritetin dhe sovranitetin e vendit, partneritetin me miqtë, si dhe integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës. Sa i përket të drejtave të njeriut ato janë të rrezikuara si kudo në Ballkanin Perëndimor, kanë një shpërfillje dhe disonancë mes asaj çfarë thuhet në fushatat elektorale, propagandat partiake dhe asaj së vërtetë me çka ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Përveç pandemisë Kosovën e kanë goditur rëndë problemet sociale dhe ekonomike, rritja e pakontrolluar e çmimeve të energjisë dhe kostos ditore të jetesës, të cilat janë buzë shpërthimit dhe revoltës qytetare, pastaj sindromi i shpërnguljes së trurit dhe të rinjve, pozita e mjerueshme e pensionistëve, gjendja e rëndë në arsim e shëndetësi si dhe tendencat për kapjen e shtetit, të drejtësisë dhe kontrolli mbi ligjin, nepotizmi dhe synimet tendencioze për kontrollin dhe sulmin mbi lirinë e shtypit dhe mediat e lira, duke mos ngurruar që zyrtarët kosovarë t’i quajnë mediat “ndërmarrje të përbashkëta kriminale” madje të kalojnë të pandëshkuar, me qëllim të cenimit dhe rrezikimit të vet gazetarëve dhe pavarësisë se mediave, e këto janë simptome dhe sindrome të një shteti diktatorial.
“Epoka e re”: Kohë më parë ju kishit një përplasje mediatike me presidenten Vjosa Osmanin dhe bashkëshortin e saj, i cili është edhe ushtrues detyre i ambasadorit në Shkup. Madje u tha se gjoja jeni edhe në kërkim nga Policia e Kosovës, çfarë mund të na thoni për të gjitha këto?
Dedaj: Bashkëshortët Osmani siç po i quan zonja dhe “zotëriu i parë” është mirë ta ndalin linçimin dhe diskreditimin tim, madje është obligim i tyre ligjor dhe kushtetues të mos e keqpërdorin pushtetin dhe pozitat për denigrimin tim dhe të rivalëve të tyre politikë.
Pas shkarkimit brutal dhe skandaloz të cilin ma ka bërë presidentja Osmani, ajo ka sjell në krye të ambasadës në Shkup bashkëshortin e saj, dukuri kjo e shteteve dhe tiranive monarkiste dhe diktatoriale. Duke qenë të vetëdijshëm se ndaj meje kanë bërë sulm të paramenduar, me urrejtje dhe fanatizëm. Ata për të justifikuar këtë konflikt interesi, këto shkelje flagrante kundër meje nuk po pushojnë me shantazhe nder më të ulëtat. Më 17 janar të këtij viti në shumë portale dhe media u lansua lajmi i trishtë dhe i rremë, siç i thonë “fake news”, se gjoja unë jam në kërkim të Policisë së Kosovës, me shumë gjasa lajm i sajuar dhe i dirigjuar nga Ambasada e Kosovës në Shkup apo MPJD në Prishtinë. Përmes kësaj gënjeshtre institucionale, shpifjeve djallëzore, kishin për qëllim krijimin e hutisë në opinion për diskreditimin tim dhe justifikimin e të bëmave të tyre jonjerëzore dhe skandaloze me rastin e shkarkimit tim, për çka unë përmes avokatit kam ushtruar padi në gjykatë, nëse edhe ajo nuk është e kapur si shumë segmente të tjera në Kosovë. Pra bëhej fjalë për tabelat diplomatike të makinës sime private, të lëshuara nga RMV, të paguara nga vet unë dhe me afat deri më 31 dhjetor 2021, si dhe për ID-në time personale diplomatike me afat deri më 31 dhjetor 2022, të lëshuar nga autoritetet e Shkupit zyrtar, të cilat pas festave të fundvitit i kam dorëzuar vullnetarisht te autoritetet përkatëse. Policia e Kosovës me ka thënë se lajmi që ju jeni në kërkim është i rremë dhe se askush nuk po ju kërkon. I irrituar tejmase, i shantazhuar, në gjendje fyese emocionale jam prononcuar dhe kam kundërshtuar ashpër këto tendenca djallëzore. Në njërën nga studio televizive kam ftuar për kujdes dhe përgjegjësi ndaj meje, ndaj jetës sime, sepse ndihesha i rrezikuar, kërcënuar dhe i nxitur, gjë e cila rrezikonte jetën time, kam përkujtuar çdo individ i cili mendon të kërcënon dhe rrezikon jetën time, apo jetën e kujdoqoftë, nuk duhet të harrojmë se veç ligjit të shqiptaret fatkeqësisht është edhe kanuni dhe secili duhet të kemi kujdes se si i trajtojmë njerëzit dhe jetën e tyre. Aty kam shtuar se unë jam një nder kampionët e demokracisë në Kosovë dhe se çfarëdo kontesti me bashkëshortët Osmani apo me këdo tjetër do t’i zgjidhi vetëm përmes drejtësisë dhe rrugëve ligjore.
Shumë e pakënaqur për moskërkimin tim nga policia, presidentja Osmani vetëm pse unë e kam përdorur shprehjen kanun, pa ia drejtuar asaj dhe askujt në botë, sepse nga zhargoni im dhe edukata ime, kërcënimi nuk ka ekzistuar dhe as nuk është praktikë e imja tash dhe as në të ardhmen, madje as kur jam rrezikuar dhe kërcënuar me qindra herë gjatë karrierës sime politike. Presidentja Osmani duke keqpërdorur pushtetin dhe pozitën, për t’ia arritur qëllimeve të saja të frikshme për diskreditimin dhe linçimin tim, ka ushtruar kallëzim penal ndaj meje, së paku me qëllim të më ftojnë në polici. Policia e Kosovës të obliguar dhe në mënyrë profesionale, me korrektësi dhe me përgjegjësi me kanë ftuar të japë deklaratë ku kam kundërshtuar ashpër pretendimet shpifëse të presidentes. Kam kontaktuar avokatin nga i cili kam kërkuar të ushtrojë një kallëzim penal kundër presidentes Osmani për shpifje, por avokati më ka thënë se ajo ka imunitet dhe nuk mund t’i bëni kallëzim penal. Pra, ajo ka keqpërdorur edhe imunitetin, edhe pozitën, pushtetin dhe ndikimin e saj kundër meje, kjo është shkelje kushtetuese dhe ligjore./Epoka e re/
