Berisha dhe Basha përplasen për zgjedhjet e 6 marsit, ish-kryeministri sulmon kandidatët e PD, kreu demokrat e akuzon për shpifje

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka prezantuar dje kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Mukën në Durrës. Gjatë fjalës së tij nga prezantimi, ai ka sulmuar edhe kandidatin e PD në këtë qytet Luan Hotin duke thënë se është një kopje e Bashës. Berisha i ka kërkuar kandidatit të Partisë Demokratike, Luan Hoti që të tërhiqet, pasi ka bërë shumë gabim që është përfshirë në këtë garë. “Luan Hoti është kopja e tij. Jo sepse e ka emëruar ai, por del se paska dhuratë nga Edi Rama, monopol nga Saranda në Shëngjin. Qeveria nuk mund të japë monopol, sepse është korrupsion. Çështja nuk është se ai ka pasur një monopol, por ai në qershor duhet që të rinovojë monopolin. Si mendoni ju, a do mendojë për ju apo për monopolin e tij? Ai ka bërë shumë gabim që është përfshirë në garë. Më mirë të japë dorëheqjen në këtë garë”, tha Sali Berisha. Ish-kryeministri akuzoi edhe Lulzim Bashën si një lider i dobët, me të cilin shkohet vetëm nga humbja në humbje. Ai vijoi më tej, duke i bërë thirrje qytetarëve duhet që të votojnë kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”. “Në 30 vite në politikë, ai është lideri më i dobët, që nuk i beson kush. Një lider që ditën e votimit vetëm 19 për qind e zgjedhësve e konsideronin lider është për të lëshuar rrugën, 5 herë dhe për të mos dalë më. Të dashur demokratë që ende jeni me të, me Lulzim Bravën shkohet nga humbja në humbje, bashkohuni me ne. Në 6 mars votoni Ardian Mukën, kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, u shpreh Sali Berisha. Ish-kryeministri i bëri thirrje qytetarëve të ndahen nga regjimi i Ramës. Ai tha, se kjo qeveri vetëm e ka shkatërruar këtë qytet. “Është koha të përdorim votën për një vendim të rëndësishëm. Përfaqësuesja e Edi Ramës, jo vetëm solli helmet këtu, plehrat i digjte natën si hije të zeza, ajo kandidate nuk vjen rastësisht, është kryeinspektorja e ndërtimeve të dëmtuara nga tërmeti i shtatorit 2019. Ato të dëmtuarat në 2019, morën shpirtrat e qytetarëve më vonë. Kjo u tregua e papërgjegjshme”, tha Sali Berisha.

Reagon lideri demokrat Lulzim Basha

Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me strukturat në Kamëz, nga ku ka hedhur akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai theksoi, se Partia Demokratike përveç se duhet që të merret me atë që ai e cilësoj si armiku i mirëqenies së shqiptareve duhet që të durojë edhe ata që gënjejnë dhe shpifin duke iu referuar këtu Berishës. Basha theksoi, se ata janë një grup i vogël njerëzish. “Në mes të kësaj beteje, në vend që çdo energji dhe fuqi e jona të fokusohet ndaj armikut numër 1 të mirëqenies së shqiptarëve, që po i gërryen vatrat e shqiptarëve, po i zbraz shtëpitë e tyre dhe tavolinat. Në mes të kësaj beteje duhet të durojmë edhe disa që vijnë vërdallë dhe nga mëngjesi deri në darkë vetëm shpifin dhe gënjejnë. Shpifin dhe gënjejnë, sulmojnë dhe denigrojnë këdo që nuk mendon si ata. Janë një grusht i vogël njerëzish i cili përbëhet nga dy pjesë”, tha Basha.

Go to TOP