Gjykata e Posaçme jep vendimin, dënon me 52 vite burg grupin e Avdylajve për laboratorin e kokainës në Has
Gjykata e Posaçme ka dënuar ditën e djeshme me 52 vite burg në total grupin e Avdylajve. SPAK në pretencën e dhënë në dhjetor të vitit 2021 kishte kërkuar dënimin me 55 vite burg në total për grupin. Më 12 vite burg është dënuar Astrit Avdyli, i cili ka dhe mbiemrat Balliu e Sulejmani, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Prokuroria e Posaçme për Astrit Avdylin kishte kërkuar dënimin me 10 vite heqje lirie.
Gjykata e Posaçme vendosi që Astrit Avdyli ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. “Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve i pandehuri Astrit Balliu (alias Avdyli, Sulejmani) dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim. -Vuajtja e dënimit për pjesën e pavuajtur të kryhet nga i pandehuri Astrit Balliu (alias Avdyli, Sulejmani) në një burg të sigurisë së lartë, në respektim të nenit 16 pika 1, gërma “a” të Ligjit Nr. 81/2020 “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve””, njoftoi GJKKO.
Për Jasin Avdylin alias Kala, GJKKO vendosi dënimin me 7 vite heqje lirie, nga 9 që kishte kërkuar prokuroria. Ai akuzohet për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Gjithashtu iu sekuestrua dhe një biznes në qytetin e Durrësit. Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë me nga 15 vite burg secilin, Iskënder Salen dhe Xhemal Halitin, për kryerjen e veprave penale “Trafikim narkotikësh” dhe “Prodhim dhe fabrikim i lëndëve narkotike”. Për këta dy persona, SPAK kishte kërkuar dënimin me nga 12 vite burg për secilin. Fatos Llaftiun, i cili akuzohet për veprën penale “Moskallëzim krimi”, Gjykata e Posaçme e dënoi me 3 vite burg, aq sa kishte kërkuar dhe prokuroria. Më parë Fatos Llaftiu ndodhej në “Arrest shtëpie”, ndërsa tani duhet ta kryejë dënimin në qeli. Në pretencën e dhënë SPAK kishte kërkuar dënimin me 9 vite burg për Denis Llaftiun, pasi e akuzonte për grup të strukturuar kriminal dhe shitje e prodhim narkotikësh. Ndërsa ditën e djeshme GJKKO e ka liruar nga të gjitha akuzat dhe e lënë të lirë. Grupi i Avdylajve ranë në pranga në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Vol-vo 4”, për laboratorin e kokainës të gjetur në Has. Sa i përket kësaj çështje, për një kohë të gjatë dosja mbeti pezull duke bërë që të skadonin afatet e paraburgimit. Pak kohë më parë, GJKKO pranoi kërkesën e grupit të Avdylajve për t’u gjykuar me proces të shkurtuar.
Operacioni “Vol-vo 4”
Më 21 tetor të vitit 2018 nga autoritet ligjzbatuese u finalizua operacioni i koduar “Vol-vo 4”, ku u goditën katër grupe kriminale, mes tyre dhe Avdylajt e Shijakut. Operacion i zhvilluar në 12 qytete, nga Hasi në Sarandë. Në kuadër të këtij operacioni u gjet një laborator heroine në Brengosë të Hasit, Kukës. Në laborator policia sekuestroi 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës. Laboratori u zbulua nga përgjimet e Gj.Ndokës, si i lidhur me grupin e Avdylajve. Gjatë operacionit “Vol-vo 4” u arrestuan 63 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Të pandehur për trafik droge u morën 22 persona, ndërsa pjesa tjetër akuzohen për tjetërsim pronash, shpërdorim detyre, apo manipulim të zgjedhjeve.
