Ikja e Milan Radojiçiq nga pika kufitare Bërnjak, IPK rekomandon suspendim e tre policëve
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë pasi ditën e enjte Milan Radojiçiq ka arritur të arratiset nga pika kufitare Bërnjak
Në njoftim thuhet se personi në fjalë ka ikur me veturë në drejtim të Serbisë dhe se dokumentet e tij kanë mbetur tek zyrtarët policorë.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë (një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor – që të gjithë punonjës në në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorin Rajonale Kufitare “Veriu”)”, thuhet në njoftim.
IPK përmes një komunikate për media thotë se , mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar.
“Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar”, thuhet në reagim.
Tutje, në njoftim thuhet se, H=hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se Milan Radojiçiq është arratisur dje nga pika kufitare me Serbinë, në Bërnjak.
Policia ka bërë të ditur se derisa zyrtarët policor ishin duke verifikuar dokumentat e tij, ai është larguar me veturë në drejtim të Serbisë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 15:40.
“Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.
Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.
