Edhe një shtet evropian thotë se ka marrë letër me kërkesa nga Rusia
Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, tha se vendi i tij është duke përgatitur një përgjigje për një letër që mori të martën nga Rusia.
Sipas zyrtarit të lartë, në letrën e dërguar nga Moska kërkohen garanci të sigurisë nga vendet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE.
Finlanda ka kufi të gjatë dhe histori të vështirë me Rusinë, por nuk është anëtare e NATO-s, shkruan Reuters.
“Ky shkëmbim ka të bëjë me mendimin (rus) se Perëndimi e ka shtuar sigurinë e vet në kurriz të Rusisë. Qartazi, Perëndimi ka një pikëpamje krejt tjetër për këtë”, tha kryediplomati finlandez para gazetarëve në Helsinki.
Ndryshe, disa javë më parë, Rusia u ka dërguar kërkesa për garanci të sigurisë edhe NATO-s e Shteteve të Bashkuara. Këto të fundit i janë përgjigjur negativisht Federatës Ruse rreth kërkesave kryesore, por ia kanë lënë hapur derën e diplomacisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se përgjigjet e NATO-s e ShBA-së nuk i kanë adresuar kërkesat kryesore të vendit të tij. Në anën tjetër, NATO-ja është zotuar se nuk do të bëjë kompromis për vlerat themelore të aleancës, përfshirë të drejtën e shteteve për të vendosur vetë rreth anëtarësimit në këtë bllok të sigurisë.
Përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve rreth Ukrainës po vazhdojnë. Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, pritet të bisedojë me homologun rus, Sergei Lavrov, përsëri të martën, pas një vargu kontaktesh në muajt e fundit.
