Fushë Kruja arenë atentatesh, pas plumbave ndaj Gentjan Bejtjas dhe Klodjan Stafukës, i vihet tritol banesës së vëllait të Enver Stafukës

Një tjetër atentat është shënuar dje në Fushë Krujë, por këtë herë me tritol. Pak ditë më parë u hap zjarr ndaj Gentjan Bejtjas dhe Klodjan Stafukës, ndërsa dje ka pasur një shpërthim tritoli në shtëpinë e Naim Stafukës, vëllait të Enver Stafukës. Lënda plasëse është vënë në derën e shkalleve të një objekti tre katesh ku ka disa biznese por në katin e 3 banon Naim Stafika me familjen. Enver Stafuka është rrëmbyer në shkurt 2015 dhe nuk dihet më asgjë për të dhe dyshohet se është vrarë. Ai dyshohet se ka qenë personi që vodhi makinën ku udhëtuan vrasësit e komisar Dritan Lamaj. Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë të një lokali në qendër të qytetit të Fushë-Krujës 48-vjeçari i atëhershëm Stafuka merret me forcë nga tre persona të veshur si policë dhe të maskuar. Kanë mjaftuar vetëm 50 sekonda që grabitësit të neutralizojnë 48-vjeçarin teksa aty afër ka ardhur në automjet tip “Golf” në bagazhin e të cilit është futur Stafuka. Makina më pas është nisur në drejtim të autostradës, ndërsa kanë qenë të afërmit ata që kanë njoftuar forcat e policisë për këtë ngjarje. “Rreth orës 22:05, në Fushë Krujë, në derën e dyqanit të shtetasit N.S, është vendosur një sasi lënde plasëse, ku nga shpërthimi ka vetëm dëmtim të derës së dyqanit. Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe vijon punën për verifikimin e rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e autorëve”, ka njoftuar policia.

Atentati në Nikël

Pak ditë më parë pati një tjetër atentat ndaj familjes Stafuka. Gentjan Bejtja dhe Klodjan Stafuka u paraqitën në spitalin e Traumës në Tiranë të plagosur. Më pas u zbulua se dy personat kishin mbetur të plagosur gjatë një atentati me armë zjarri. Gentjan Bejtja, 41 vjeç ka qenë duke udhëtuar me automjetin tij i shoqëruar nga 31-vjeçari Klodjan Stafuka. Bejtja ka qenë mik i Enver Stafukës. Teksa kanë qenë duke lëvizur me makinë, ndaj tyre është hapur zjarr dhe për pasojë është plagosur lehtë Gentjan Bejtja, ndërsa Klodjan Stafuka ka marrë dëmtime për shkak të përplasjes së makinës ku ata ndodheshin. Autorët i kanë pritur në afërsi të karburanti dhe kur kanë ndaluar kanë qëlluar drejt tyre me breshëri plumbash nga një tjetër makinë. Gentjan Bejtja, i cili ka qenë dhe efektiv policie më parë, nuk është një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë. Në shtator të vitit 2016, ndaj tij është organizuar një atentat me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, dhe po në fshatin Nikël të Krujës, nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë. Ai arriti t’i shpëtonte atentatit për shkak të sasisë së vogël të eksplozivit të vendosur, çka më pas, hetuesit e cilësuan si një paralajmërim. Gjithashtu, Bejtja ishte personi që së bashku me Enver Stafukën dyshohet se vodhën veturën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Sipas burimeve, dyshimet janë se të dyja ngjarjet janë të lidhur ame njëra tjetrën.

Go to TOP