Avni Spahiu tregon çka tha Bob Dole në vizitën e tij të parë në Kosovë

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, ka kujtuar vizitën e parë të senatorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai, në emisionin Info Magazine , tha se në atë kohë senatori Bob Dole, në fjalimin e tij, ishte i shkurtër, duke thënë se gjendja e cila mbretëronte dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që bëheshin nga okupatori serb ishin të papranueshme.

“Në fjalën e tij të rastit, senatori Bob Dole ishte shumë i shkurtër, duke thënë se ata ishin këtu për të parë atë që po ndodhte në Kosovë. Dhe nga kjo se çka kishte parë dhe dëshmuar kjo gjendje nuk është e pranueshme dhe se këto do të ngriteshin në Kongresin Amerikane”.

Spahiu theksoi se kërkesat kryesore të liderëve të atëhershëm të Kosovës ishin: Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

“Kanë qenë kërkesa të gjitha të njëzëshme. Liderët paraqiten pikëpamjet e tyre për atë se çka po ndodhte në Kosovë dhe paraqiten kërkesat e tyre tashmë të njohura si: Liri, Pavarësi, Demokraci.

Sipas tij, lidershipi i vendit tonë u ofroi senatorëve dëshmi të gjalla lidhur me atë se çka po ndodhte në Kosovë.

“Kryetari Rugova, pastaj doktor Qosja, Adem Demaçi, pastaj Fehmi Agani dhe Veton Surroi nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, iu ofruan dëshmi të gjalla senatorëve amerikanë lidhur me atë se çka po ndodhë në Kosovë”.

Bob Dole vdiq dje në moshën 98-vjeçare.

Dole ishte mik i madh i Kosovës, i cili ndihmoi vendin tonë për liri dhe pavarësi.

Ai e vizitoi për herë të parë Kosovën në gusht të vitit 1990.

Misioni i tij ishte për të mbledhur dëshmi për gjendjen, e cila mbretëronte në atë kohë në Kosovë.

Go to TOP