Mungon shtetasi i huaj i akuzuar për sulm fizik, urdhërohet t’i verifikohet adresa

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim personal të ftesës ndaj të shtetasit marokien M.A i akuzuar se sulmoi fizikisht punëtorin e sigurimit në Qendrën e Azilit në Vranidoll.

Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj pasi që i akuzuari M.A mungoi të enjten në seancën e shqyrtimit gjyqësorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Sadikaj, nga fletëkthesa e kthyer në gjykatë nga Posta e Kosovës ka rezultuar se pala është shpërngulur nga Qendra e Azilit në Vranidoll.

Ndërsa, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurori Besnik Jakupi dhe mbrojtësi i të akuzuarit M.A avokati Enver Maxhuni.

Me qenë se nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, aktakuza e ngritur në qershor të vitit 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, M.A akuzohet se më 8 qershor të 2021-ës në Qendrën e Azilit në Vranidoll, Komuna e Prishtinës, i pandehuri së bashku me dy azilantë të tjerë në mënyrë protestuese kanë gërvishtur veten pasi që sigurimi i objektit të kësaj qendre i ka urdhëruar që të hyjnë brenda.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari M.A me dashje ka sulmuar punëtorin e sigurimit tani të dëmtuarin Nazmi Miftari duke e goditur me grusht në shpinë.

Me këtë, M.A akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Go to TOP