Mbi 10 milionë euro u shpenzuan për blerjen e autoblindave, topave të ujit për Policinë e Kosovës

Policia e Kosovës vetëm gjatë këtij viti ka shpenzuar 10 milionë e 559 mijë e 170 euro për blerjen e autoblindave, topave të ujit, limuzinave të blinduara dhe automjete të tjera speciale.

Në buxhetin për vitin 2022 është paraparë që në këto automjete speciale të investohen edhe 1 milion e 80 mijë euro.

Këto mjete financiare janë bartur nga ky vit për vitin 2022 pa ndonjë rritje tjetër në këtë kategori.

Në Divizionin Kundër Krimit të Organizuar këtë vit janë shpenzuar 3 milionë e 46 mijë e 316 euro ndërsa, 500 mijë euro nga ky vit janë bartur dhe aprovuar për shpenzim për vitin e ardhshëm.

Sipas buxhetit, është vlerësuar se për vitet 2023 dhe 2024 për Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar të ndahen 500 mijë euro, e që i bie se kjo kategori nuk do të ketë ndonjë rritje.

6 milionë e 590 mijë e 321 euro janë shpenzuar këtë vit sipas buxhetit të Kosovës, në pajisje të teknologjisë informative në Policinë e Kosovës ndërsa 570 mijë euro janë bartur për vitin 2022.

Qeveria gjithashtu ka ndarë 2 milionë e 700 mijë euro për blerje të automjeteve të transportit për vitin e ardhshëm ndërsa këtë vit Policia e Kosovës ka shpenzuar 18 milionë e 130 mijë e 963 euro për të njëjtën kategori.

Në kategorinë Konfidentale – Hetuesi në Policinë e Kosovës këtë vit janë shpenzuar 1 milion e 215 mijë e 770 euro ndërsa 300 mijë euro janë bartur për vitin 2022.

Go to TOP