PSD tregon masat që duhet të merren nga Qeveria pas rritjes së çmimeve

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, përmes një konference për media ka treguar se cilat masa duhet t’i ndërmarrë Qeveria pas rritjes së çmimeve. Funksionalizimi i Këshillit Ekonomiko Social, rritja e pagës minimale dhe lirimi i produkteve bazë nga TVSH-ja, u propozuan nga i pari i kësaj partie.

“Diferenca e rritjes së çmimit nga muaji paraprak në këtë muaj, duhet të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës për këto produkte bazë prapë. Pra subvencionim i rritjes së çmimit përkatësisht dallimit në çmim nga ai që ka qenë për këtë rritje, për miellin, kripën, sheqerin, bukën dhe qumështin” u shpreh Molliqaj.

Ai thotë se kemi të bëjmë me një rritje ekonomike e cila nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët.

“Ky është më shumë koncept i djathtë sesa koncept i një Qeverie të majtë ose socialdemokrate, sepse rritja ekonomike e cila nuk përkthehet në  mirëqenie për qytetarët, ajo mund të jetë rritje ekonomike e cila ose është rritur importi ose është rritur kapitali i koncentruar për bizneset e mëdha dhe qytetarët vetëm sa e kanë pësuar atë.”

Tutje, ai paralajmëroi aksion simbolik në lidhje me ngritjen e çmimeve të produkteve bazë në vend.

Kurse Imer Raçi, ekonomisti i PSD-së, tha se një shportë me produkte bazë që ka kushtuar 18 euro, tani kushton 23.55 cent.

“Kosova i ekspozohet rritjes së çmimeve duke qenë se valutë monetar e ka euron dhe gjithashtu Kosova varet nga importi, ku dihet se 9 euro importojmë dhe 1 euro eksportojmë” tha Raçi.

Sipas tij shtresat më të goditura nga rritja e çmimeve janë pensionistët edhe personat që marrin të ardhura fikse.

Go to TOP