Emmerson, prokurorisë: Çështjen e krerëve e quani “të madhe”, jo se keni prova, por për “peshqit e mëdhenj”
Ka vazhduar seanca në Speciale edhe në orët e mbrëmjes ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka fajësuar kryeprokurorin Jack Smith për mungesë të profesionalizmit dhe veprime të qëllimshme kundër katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Gjithçka është rezultat i Jack Smithit. Paaftësia e Losson dhe jo-profesionalizmi i saj për ta pranuar situatën që është prokuroria, si të thuash dritat janë ndezur por askush nuk duket brenda. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i mbajmë këta njerëz në paraburgim dhe mos ta dënojmë prokurorinë që po bën shkelje për shkak të mungesës së profesionalizmit dhe planifikimit të gabuar që kanë bërë ata”, tha ai.
Ai tha se Prokuroria ka bërë një lëshim të madh dhe të njëjtit nuk janë në gjendje që të kërkojnë falje për to.
Sipas tij, argumentimi i Prokurorisë është një “turp i madh”.
“Ky është një lëshim i madh i Prokurorisë dhe për shkak të gabimit të tyre ata duhet të thonë se u vjen keq. I gjithë ky argumentim është një turp. Megjithatë, të gjithë e dijnë, edhe njeriu i zakonshëm në Kosovë se cili është pozicioni i tyre. Ju duhet ta dini se të gjithë po ju shohin. Tani e shohim një person të ri që thotë na vjen keq, kemi pasur shumë punë….kjo është çështja e madhe për ta, kështu e quajnë ata në ZPS, jo se kanë prova, por për shkak të peshqve të mëdhenj. Ata janë arrestuar pa asnjë ide, dhe nuk e dijnë pse janë marrë ata. Pse nuk mund ta kemi dosjen më 31 tetor. Ajo çfarë po ndodhë është që ata po mendohen të shtyjnë materialet deri në janar. Kjo është situate që ju kërkoj ndjesë për termin, por që do të jetë një gjysmë-dosje”, ka thënë Emmerson.
