Kontraktimi me mjekë joligjorë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, reagon Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me kontraktimin që Prokuroria Themelore në Gjilan, ka bërë me mjekë jo-ligjor për të dhënë mendime dhe ekspertiza ligjore.
“Ministria e Drejtësisë është e shqetësuar nga lajmi i publikuar sot në media lidhur me kontraktimin që Prokuroria Themelore në Gjilan, ka bërë me mjekë joligjor për të dhënë mendime dhe ekspertiza ligjore, mbi të cilat pastaj janë nxjerrë vendime gjyqësore”, thuhet në reagimin e tyre.
Në këtë reagim gjithashtu thuhet se lidhur me pretendimet për kontraktimin e paligjshëm të ekspertëve që nuk janë ekspertë mjekoligjor, kjo ministri ende nuk ka parë një reagim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Ministria e Drejtësisë me të kuptuar shkeljet me pagesat e kundërligjshme që i kemi adresuar përmes konferencës ditë më parë, ka filluar menjëherë të ndërmarrë veprime për ndalimin e një skeme të tillë të kundërligjshme dhe bashkëvepruese ndërmjet akterëve të lartcekur”
“Ministria e Drejtësisë është e pakompromis deri në eliminimin e çdo parregullsie dhe paligjshmërie pavarësisht se nga kush janë bërë”, thuhet në reagim.
Tutje, Ministria e Drejtësisë tha se një veprim i tillë e dëmton funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe cenon liritë dhe të drejtat e palëve në procedurë. /Kosova.info/
