Rama: Pritja e afganëve, detyrim ndaj miqve në nevojë
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thotë se është shqetësuese të lexosh që Shqipëria po i strehon të arratisurit nga Afganistani vetëm se po ua kërkojnë Shtetet e Bashkuara, teksa u është përgjigjur zërave kritikë në vend për këtë veprim.
“Është kaq shqetësuese të lexosh se Shqipëria po i strehon afganët vetëm sepse na kërkoi ShBA, pasi është qesharake t’u kthesh kurrizin atyre dhe të fajësosh vetëm ShBA-në. Ne të gjithë ishim atje si NATO dhe këta njerëz ishin atje për ne, që besonin në idealet mbi të cilat qëndrojnë SHBA dhe BE”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.
So disturbing to read that Albania is sheltering the Afghanis only because the US asked us, as it is ludicrous to turn the back on them and blame the US only.We were all back there as NATO and these people were there for us, bcs they believed in the ideals both US&EU stand about.
— Edi Rama (@ediramaal) August 18, 2021
Ai thekson se Shqipëria po e bën këtë jashtë përgjegjësisë së saj si një vend i NATO-s, por si një borxh dhe detyrim ndaj “traditës shqiptare dhe të kaluarës tonë si refugjatë”.
“Shqipëria po e bën atë jashtë përgjegjësisë së saj si një vend i NATO-s dhe për shkak të asaj që jemi. Ne mund të mos jemi të pasur, por ua kemi borxh miqve tanë afganë në nevojë, dhe i detyrohemi traditës sonë, të kaluarës sonë të afërt si refugjatë, dhe gjithashtu për kujtesën që fëmijët tanë do të trashëgojnë. Largimi nga këto vlera themelore më të mira tona, të historisë sonë dhe i idealeve që bota demokratike supozohet të promovojë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, është turp”, tha Rama.
Ndërkohë, rreth 300 shtetas afganë pritet të mbërrijnë sot në Shqipëri. Institucionet shqiptare janë përgatitur që të presin në aeroportin e Rinasit grupin e parë të shtetasve afganë që do të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri, derisa atyre t’iu analizohen aplikacionet për marrje të vizave speciale amerikane.
