Një i vdekur dhe një i lënduar nga shembja e vinçit në Prishtinë
Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar pasi një vinç është shembur afër Rrugës A në Prishtinë.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana.
Ai ka bërë të ditur se dy personat kishin pësuar lëndime trupore dhe ishin dërguar për trajtim mjekësor, por njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK”, ka deklaruar Pllana.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Pllana.
Shembet një vinç afër Rrugës A në Prishtinë, lëndohen dy persona
Dy persona kanë pësuar lëndime pasi një vinç është shembur afër Rrugës A në Prishtinë.
Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana, ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Njësitet relevante, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit.
“Ju njoftojmë se dy persona kanë mbetur të lënduar, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht njësitet relevante në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë filluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, ka deklaruar Pllana.
RTKlive ka provuar të kontaktojë me QKUK-në për të marrë informacione për gjendjen e të lënduarve por deri në publikimin e lajmit ka qenë e pamundur.
