Xhaka e do Sunderlandin, largimi nuk diskutohet
Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, ka hedhur poshtë çdo mundësi që Granit Xhaka të largohet nga klubi për t’iu bashkuar Chelseat.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ishte bërë objektiv i Chelseat këtë verë, me klubin londinez që kishte paraqitur një ofertë prej 8 milionë funtesh me kërkesën e trajnerit të ri, Xabi Alonso.
Megjithatë, Sunderland e refuzoi menjëherë ofertën, duke e konsideruar atë të papranueshme, ndërsa vetë Xhaka konfirmoi përkushtimin e tij ndaj klubit ku u transferua vitin e kaluar.
33-vjeçari ka kontratë me Sunderlandin deri në vitin 2028 dhe ishte një nga lojtarët kryesorë në sezonin historik të skuadrës, që siguroi pjesëmarrjen në garat evropiane. Ai zhvilloi 34 ndeshje në ligë, duke shënuar një gol dhe duke dhënë gjashtë asistime.
Pas humbjes 4-2 në miqësoren parasezonale ndaj Liverpoolit, trajneri Le Bris konfirmoi se Xhaka nuk do të ribashkohet me ish-trajnerin e tij.
“Jo, kjo çështje ka përfunduar. Ai ka qenë shumë i qartë për të ardhmen e tij. Ai e do Sunderlandin dhe dëshiron të qëndrojë këtu”, ka deklaruar Le Bris.
Ai e vlerësoi Xhakën si një lider të rëndësishëm për skuadrën.
“Ai dëshiron të ndërtojë të ardhmen e Sunderlandit. Është kapiten i mirë dhe një lider i madh”, theksoi ai.
Le Bris foli gjithashtu për merkaton e klubit, duke bërë të ditur se Sunderland nuk pritet të ketë një verë me shumë lëvizje, ndryshe nga sezoni i kaluar kur u detyrua të bëjë shumë ndryshime në skuadër.
“Do të jetë një verë më e qetë. Po punojmë shumë në prapaskenë dhe është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm, sepse përndryshe krijohet rrëmujë. Kjo merkato do të jetë ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar, kur na duhej të afronim 14 lojtarë të rinj.”
Kështu, Chelsea duhet të kërkojë alternativa të tjera për repartin e mesfushës, ndërsa Xhaka pritet të vazhdojë të jetë një nga shtyllat kryesore të Sunderlandit në sezonin e ri.
