Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.M.

Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri me inicialet S.M., më datë 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë, Komuna e Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, i armatosur me një armë automatike të tipit AK-47, fillimisht ka bllokuar rrugën me traktorin e tij, e më pas ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të autobusit që drejtohej nga i dëmtuari V.S., ku pasagjer ishin edhe të dëmtuarit F.K. dhe H.K.

Sipas aktakuzës, nga të shtënat janë goditur disa pjesë të autobusit, duke rrezikuar jetën e të dëmtuarve. Megjithatë, fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime trupore.

Gjithashtu i pandehuri me inicialet S.M., ka poseduar pa autorizim armën automatike AK-47, së bashku me karikatorin dhe municionin, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Arma dhe municioni janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.

“Më këto veprime i pandehuri S.M., ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Tutje theksohet se prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.


Go to TOP