Prenga gati për Joshuan: Do t’ju bëj krenar

Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka përcjellë një mesazh të vendosur para përballjes së shumëpritur me ish-kampionin e botës në peshën e rëndë, Anthony Joshua.

Sfida mes dy boksierëve do të zhvillohet të shtunën në Jeddah të Arabisë Saudite, ndërsa Prenga shprehet se është përgatitur maksimalisht dhe se është gati për të dhënë më të mirën e tij në ring.

“Jam i gatshëm. Kam punuar shumë dhe jam stërvitur fort për këtë moment”, ka thënë Prenga para duelit.

Boksieri shqiptar ka theksuar se synon të përfaqësojë me krenari mbështetësit e tij dhe të japë një paraqitje të denjë në këtë përballje të madhe.

“Do të jap gjithçka nga vetja për t’ju bërë krenar të gjithëve. Shpresoj që edhe këtë herë t’ju bëj krenar, si gjithmonë”, ka deklaruar Prenga.

Përballja me Joshuan përbën një nga sfidat më të mëdha në karrierën e Prengës, i cili synon të tregojë vlerat e tij përballë një prej emrave më të njohur të boksit botëror.

Go to TOP