Përçarja në opozitën turke, Ozgur Ozel themelon parti të re

Lideri i shkarkuar i Partisë Popullore Republikane (CHP), Ozgur Ozel, së bashku me 90 deputetë të tjerë, u largua nga partia dhe themeloi të premten një subjekt të ri politik të quajtur Yeni Parti (Partia e Re).

Ozel deklaroi se partia e re do të udhëheqë betejën politike kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Uroj që kjo të jetë e dobishme për vendin tonë, kombin tonë, partinë tonë dhe për të gjithë ne”, tha ai.

Me gjithsej 91 deputetë, Yeni Parti bëhet forca e dytë më e madhe në parlamentin 600-anëtarësh të Turqisë, pas Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit, e cila ka 277 ulëse.

Ndërkohë, CHP-ja, e cila deri më tani ishte partia e dytë më e madhe me 135 deputetë, mbetet me vetëm 44 deputetë pas largimit masiv. Kjo e rendit atë në vendin e katërt, pas partisë pro-kurde DEM, e cila ka 56 ulëse.

“Opozita kryesore në Kuvendin e Madh Kombëtar do të jetë partia e re që po themelojmë”, kishte deklaruar Ozel më herët gjatë javës.

CHP u themelua në vitin 1923 nga Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i Republikës moderne të Turqisë dhe presidenti i parë i saj. Partia kemaliste ishte sfiduesja kryesore e partisë konservatore në pushtet, AKP, e cila ka qenë në pushtet për gjashtë mandate radhazi që nga viti 2002.

Themelimi i partisë së re vjen pas përçarjeve të thella brenda CHP-së. Ozel u zgjodh kryetar i partisë në vitin 2023 dhe udhëhoqi suksesin e saj në zgjedhjet lokale të vitit pasues.

Në vitin 2025, ai u bë figura kryesore e protestave masive që kërkonin lirimin e kryetarit të Bashkisë së Stambollit dhe kandidatit presidencial të CHP-së, Ekrem Imamoglu, i cili përballet me akuza për korrupsion dhe terrorizëm, si dhe me një dënim që mund të kalojë 2.000 vjet burg.

Megjithatë, në maj të këtij viti, një gjykatë anuloi zgjedhjen e Ozelit si kryetar të CHP-së për shkak të dyshimeve për blerje votash. Gjykata ia hoqi atij postin dhe riktheu në krye të partisë rivalin e tij, Kemal Kilicdaroglu.

Kritikët i kanë cilësuar procedurat ligjore ndaj Imamoglut, Ozelit, CHP-së dhe mbështetësve të saj si të motivuara politikisht dhe jodemokratike. Qeveria i mohon këto pretendime dhe këmbëngul se sistemi gjyqësor është i pavarur.

Pas dorëzimit të dokumenteve për regjistrimin e Yeni Parti në Ministrinë e Brendshme, deputeti Murat Emir deklaroi: “Po lëmë pas një parti të pushtuar”, shkruan DW.

Go to TOP