Bajrami: Të hetohet vonesa në ndërhyrjen në deponinë e Sferkës, përgjegjësit para drejtësisë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka mirëpritur vendimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe urdhrin e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për angazhimin e njësive të specializuara në deponinë e Sferkës.
Ajo ka theksuar se ky angazhim ka ardhur pas afro dhjetë ditësh djegie të pandërprerë duke kërkuar hetim të plotë për vonesën në reagimin institucional dhe dëmet e shkaktuara ndaj shëndetit të qytetarëve, mjedisit dhe pronës.
Bajrami ka ngritur pyetje se pse u prit kaq gjatë për angazhimin e kapaciteteve shtetërore dhe pse qytetarët u ekspozuan për ditë të tëra ndaj tymit toksik, ndërsa banorë dhe protestues u helmuan para se institucionet të reagonin.
Ajo ka bërë të ditur se i qëndron prapa kallëzimit penal që ka ushtruar dhe u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të zhvillojnë hetime të plota ndaj të gjithë përgjegjësve duke kërkuar që ata që kanë dështuar të veprojnë të nxirren para drejtësisë.
Në fund, Bajrami ka përsëritur kërkesën që deponia e Sferkës të mbyllet. /Kosova.info/
