IKD nis mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se nga nesër, 23 korrik 2026, do të nisë mbledhja e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare që synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Mbledhja e nënshkrimeve do të zhvillohet të enjten, nga ora 10:00 deri në 15:00, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Sipas IKD-së, përmes kësaj nisme synohet të përcaktohet përgjegjësia penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të sanksionohet përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
IKD u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme për avancimin e llogaridhënies dhe mbrojtjen e rendit kushtetues në vend. /Kosova.info/
