Tërmkolli: Beogradi e Sorosi po ndikojnë në zhvillimet brenda LDK-së
Ish-zyrtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka reaguar me kritika të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë duke pretenduar se në debatet publike po tentohet të ndikohet në zgjedhjen e kryetarit të LDK-së.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo përmend emrat e analistëve Zana Avdiu dhe Baton Haxhiu, duke pretenduar se ata po flasin në emër të burimeve brenda LDK-së për të orientuar proceset e brendshme të partisë. Gjithashtu, Tërmkolli përmend edhe Dardan Sejdiun dhe Berat Buzhalën duke i akuzuar për përfshirje në diskursin politik që lidhet me LDK-në.
Ajo shprehet se LDK-ja është larguar nga vlerat e saj tradicionale dhe pretendon se partia është izoluar nga partnerët perëndimorë duke pohuar se prej vitesh është bojkotuar në aktivitetet e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe se po diskutohet edhe përjashtimi i saj nga ky grupim.
Në fund të reagimit, Tërmkolli u bën thirrje anëtarëve të LDK-së që, sipas saj, të reflektojnë për gjendjen aktuale të partisë duke paralajmëruar se në të kundërtën rrezikohet mbyllja e kapitullit të LDK-së siç e njeh ajo. Ajo e përmbyll postimin me hashtagët #MakeDardaniaAgain dhe #MDA. /Kosova.info/
