Haxhiu: Opinioni i GJND-së mbetet gurthemel i legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e cilësuar atë si një moment historik dhe juridik me rëndësi të veçantë për shtetësinë e Kosovës.

“Sot shënohen 16 vjet nga publikimi i opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e saj.

Haxhiu theksoi se edhe pas 16 vitesh, opinioni i 22 korrikut 2010 mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare.

Më 22 korrik 2010, Gjykata hodhi poshtë pretendimet se shpallja e pavarësisë kishte shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, duke vlerësuar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk cenonte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Ky opinion erdhi pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një vlerësim këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Vendimi i Gjykatës përbënte një moment me rëndësi të veçantë juridike dhe diplomatike, duke forcuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe duke shërbyer si bazë e rëndësishme për njohjet që pasuan nga shumë shtete.

Go to TOP