​Policia: Të shtënat me armë në gazmende familjare nuk tolerohen

Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë zjarri gjatë javës së fundit në rajonin e Prizrenit, në kuadër të disa operacioneve të ndara që synonin parandalimin e incidenteve dhe rritjen e sigurisë publike.

Sipas Policisë, në katër raste të ndryshme, të regjistruara në Prizren dhe Suharekë, janë konfiskuar tri pistoleta dhe një armë automatike AK-47. Në dy prej rasteve, armët janë zbuluar pas informacioneve të pranuara nga qytetarë anonimë, të cilët kishin raportuar për të shtëna me armë gjatë gazmoreve familjare.

Në tre nga katër rastet, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e armëmbajtjes pa leje dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përdorin armë në ahengje familjare apo në ngjarje të tjera festive, si dhe të raportojnë çdo rast që rrezikon sigurinë publike.

Go to TOP