Pejë: Filloi faza e parë e shpërndarjes së traktorëve për fermerët përfitues
Sot u realizua faza e parë e shpërndarjes së traktorëve për fermerët përfitues në kuadër të Thirrjes Publike “Furnizim me mekanizëm bujqësor – Traktor”, e cila bashkëfinancohet nga Komuna e Pejës me pjesëmarrjen financiare të fermerëve.
Në ceremoninë e shpërndarjes morën pjesë Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri dhe Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, z.Tahir Shala, të cilët uruan fermerët përfitues dhe ritheksuan përkushtimin e komunës për mbështetjen e vazhdueshme të sektorit të bujqësisë.
Kryetari Muhaxheri theksoi se investimet në mekanizimin bujqësor janë pjesë e angazhimit të Komunës së Pejës për zhvillimin e bujqësisë, rritjen e prodhimit vendor dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët.
Drejtori Shala vlerësoi interesimin e madh të fermerëve, duke theksuar se pajisja me mekanizëm modern do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e ekonomive familjare në zonat rurale.
Në këtë fazë janë shpërndarë 19 traktorë, ndërsa gjithsej janë 65 traktorë, të cilët do t’u dorëzohen fermerëve përfitues.
Ky projekt parashihet të përfundojë deri më 20 gusht. /Kosova.info/
