​MIT ia atribuon komunës projektimin e rrugëve në Bibaj të Ferizajt

Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit ka dhënë sqarime për ka dhënë sqarime për një projekt në Ferizaj. Sipas ministrisë, projekti i rrugës nga ura në qytetin e Ferizajt deri te hyrja e autostradës është realizuar nga Komuna e Ferizajt. Ndërsa, sipas njoftimit të MIT, Komuna e ka hartuar projektin, i ka zhvilluar procedurat e prokurimit dhe e ka mbikëqyrur realizimin e punimeve, ndërsa Ministria i ka ndarë mjetet financiare.

“Në projektin e hartuar nga Komuna nuk kanë qenë të parapara rrethrrotullimi në Bibaj, ndriçimi publik përgjatë rrugës, gjelbërimi dhe zgjerimi i rrugës në dalje të autostradës. Ministri e ka ftuar Komunën në takim dhe ka kërkuar sqarime, por edhe gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme deri në realizimin e riprojektimit nga Ministria, përmes të cilit do të adresohen të gjitha mangësitë e projektit aktual”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Komuna ka rekomanduar vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm, i cili, sipas saj, është testuar paraprakisht edhe përmes simulimit. Megjithatë, gjendja në terren po tregon se kjo zgjidhje nuk po funksionon siç ishte paraparë dhe po shkakton kolona të gjata.

“Duke qenë se Komuna e ka në mbikëqyrje këtë projekt, i bëjmë thirrje që ta analizojë urgjentisht situatën dhe t’i ndërmarrë masat e nevojshme për lirimin dhe normalizimin e trafikut”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Ministria do ta marrë përsipër riprojektimin e këtij segmenti dhe, përmes tij, do t’i adresojë të gjitha problemet dhe mangësitë e evidentuara. /Kosova.info/

Go to TOP