Ndërron jetë në aksident automobilistik gazetari Enrik Mehmeti, kryetar i UGSH-së për Qarkun e Vlorës
Gazetari i njohur shqiptar dhe kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) për Qarkun e Vlorës, Enrik Mehmeti, ka humbur jetën mbrëmjen e së shtunës si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik.
Lajmi është bërë i ditur nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili shprehu pikëllimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut të tyre.
Enrik Mehmeti ishte një nga reporterët më të njohur në Vlorë, me një karrierë të gjatë në News24, si dhe në media të tjera lokale, përfshirë televizionin Gjashtë Plus 1, shtypin e shkruar dhe mediat online. Ai u dallua për profesionalizmin, energjinë në raportim dhe angazhimin në çështje qytetare e sociale.
Prej disa vitesh, Mehmeti drejtonte degën e UGSH-së në Qarkun e Vlorës, ku nisi edhe ndarjen e çmimeve “Petro Marko” për gazetarinë. Gjatë viteve të fundit zhvilloi edhe angazhime profesionale mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Enrik Mehmeti u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij të vegjël, më i vogli vetëm pak javësh.
Në mesazhin e ngushëllimit, UGSH i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmeti, miqve dhe kolegëve duke e cilësuar humbjen e tij si një dhimbje të madhe për komunitetin e gazetarëve shqiptarë. /Kosova.info/
