Temperaturat e larta rrisin rastet me viroza
Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit nuk ka përjashtuar as rrezikun e shtuar të infeksioneve virale te fëmijët, por edhe te të rriturit. Mjekët raportojnë një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve, ku paraqiten me simptoma si diarre, të vjella, temperaturë të lartë, dhimbje fyti dhe kollë.
Temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në rritjen e rasteve me simptoma gripi. Vetëm në Qendrën e Mjekësisë Familjare në ‘Dardani’, në baza ditore paraqiten deri në 40 raste me grip, ndërsa rastet te fëmijët dominojnë më së shumti.
Specialisti i Mjekësisë Familjare në QKMF në Prishtinë, Rushit Ismajli, theksoi rëndësinë e kujdesit nga temperaturat e larta, si të fëmijët ashtu edhe te të moshuarit.
“Kategoritë tjera janë gjithmonë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, të cilët kanë një sipërfaqe më të vogël trupore dhe dehidratohen më shpejt. Nuk do të thotë se nuk duhet të dalin në rrezet e diellit, por duhet t’i shmangen ekspozimit nga ora 10:00 deri në 17:00. E njëjta vlen edhe për të moshuarit që kanë probleme dhe sëmundje kronike, si edhe për shtatzënat”, tha Rushit Ismajli, specialist i mjekësisë.
Sipas tij, kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet edhe ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit, duke rekomanduar më shumë konsumim të ujit dhe të ushqimeve të freskëta, pasi edhe rastet e helmimeve nga ushqimi kanë shënuar rritje.
