Fotografitë dramatike tregojnë sulmet e shtuara me dronë në Kramatorsk të Ukrainës
Askush nuk u lëndua kur një dron rus FPV u përplas në një automjet në qytetin Kramatorsk të rajonit Donjeck, më 15 korrik, por një fotografi që dokumenton këtë rast ka kapur edhe fuqinë shkatërruese të kësaj arme ajrore.
Iryna Rybakova dhe Maks Bondarenko po udhëtonin në periferi të Kramatorskut pasditen e 15 korrikut, kur panë një dron të madh FPV me katër helika, të pajisur me një kokë shpërthyese, që dukej se po e kërkonte një shënjestër për ta goditur.

“Droni fluturonte herë lart e herë poshtë, duke kërkuar shënjestrën”, tha për Radion Evropa e Lirë Rybakova, zyrtare për media e Brigadës së 93-të të Mekanizuar të Ukrainës.
Rybakova dhe Bondarenko ndaluan pranë një kryqëzimi të frekuentuar dhe Bondarenko filloi të qëllonte me pushkë drejt dronit. Brenda pak sekondash, një automjet i kaltër hyri në kryqëzim.

“Pashë dronin duke fluturuar drejt makinës, pastaj një burrë doli prej saj dhe vrapoi për t’u fshehur në një qosh”, kujton Rybakova. Në të njëjtin çast kur ajo shtypi pullën e aparatit të saj fotografik Sony, droni shpërtheu duke goditur drejtpërdrejt sediljen e shoferit të automjetit, i cili tashmë ishte bosh.
Fotografia e kapi të gjithë fuqinë e shpërthimit, ku koka shpërthyese e dronit u shndërrua në një top zjarri që mbuloi makinën.
“Nuk kisha fotografuar kurrë diçka të tillë më parë”, shkroi Rybakova në një postim në rrjetet sociale ku dokumentoi ngjarjen. “E kuptova menjëherë se kisha kapur momentin e shpërthimit”.
Sipas saj, droni ishte i një lloji me gjerësi rreth 38 centimetra. Variantet e mëdha të këtyre dronëve me katër helika mund të mbajnë koka shpërthyese, si predha të mëdha mortajash, që peshojnë disa kilogramë.

Kramatorsku ndodhet rreth 20 kilometra larg vijës së frontit të pushtimit rus, por prej kohësh ka qenë shënjestër e dronëve me fibra optike, të cilët nuk mund të bllokohen me mjete elektronike dhe janë në gjendje të fluturojnë dhjetëra kilometra për ta goditur cakun.
Që nga fillimi i korrikut, ekipet ruse të dronëve thuhet se kanë shtuar ndjeshëm sulmet me dronë FPV ndaj qytetit, përfshirë përdorimin e të ashtuquajturve dronë “pritës”, të cilët ulen gjatë natës mbi çati të izoluara.
Këta dronë qëndrojnë të palëvizshëm për të kursyer baterinë deri në agim dhe më pas e vëzhgojnë zonën për shënjestra të mundshme që shpesh kanë shumë pak kohë për të reaguar kur droni iu vërsulet.
Më 8 korrik, një grua 28-vjeçare u vra nga një dron FPV në Kramatorsk, ndërsa më 17 korrik dy civilë, të dy rreth të 60-ave, u vranë pranë qytetit nga i njëjti lloj arme.

Shoferi i makinës ishte një ushtarak ukrainas, por Rybakova nuk pranoi të jepte më shumë hollësi.
“Ai tha se sapo ishte larguar nga një pozicion luftarak dhe ishte shumë i zhgënjyer, sepse kishte shpenzuar së fundmi 2.000 dollarë për riparimin e makinës”, tha ajo. “Ne ia dërguam të gjitha fotografitë dhe videot, që ai të mund të organizonte një fushatë për mbledhjen e të hollave për të blerë makinë të re”.
