Roboti në shërbim të studentëve dhe stafit akademik në Universitetin “Kadri Zeka”

Universiteti Publik “Kadri Zeka” (UKZ) ka prezantuar Unitree G1, një nga sistemet humanoide më të avancuara në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale.

Sipas universitetit, kjo teknologji është sjellë nën udhëheqjen e rektorit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, dhe do të shërbejë për demonstrime praktike, kërkime shkencore dhe avancimin e njohurive të studentëve dhe stafit akademik në fushat e teknologjisë, automatizimit dhe inteligjencës artificiale.

Në realizimin e kësaj iniciative kanë kontribuar edhe dekania e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, si dhe PhD Cand. Buen Bajrami, MSc. Donat Dalipi dhe stafi akademik e administrativ i universitetit.

Përmes këtij zhvillimi, UKZ thekson se vazhdon angazhimin për integrimin e teknologjive bashkëkohore në procesin akademik duke krijuar mundësi të reja për mësim praktik, inovacion dhe kërkim shkencor. Universiteti ka publikuar edhe një video prezantuese të robotit humanoid Unitree G1.


Go to TOP