Si përfundon qymyri nga Indonezia në Serbi përmes një partneri kinez
Çfarë e lidh Serbinë me Indonezinë – një vend mijëra kilometra larg?
Gjatë katër vjetëve të fundit, Serbia ka importuar më shumë se katër milionë tonë qymyr nga ky shtet, për nevojat e kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, Elektro-ekonomia e Serbisë (EPS).
Një pjesë e këtyre furnizimeve është realizuar përmes një kompanie ndërmjetëse kineze, e cila është nën kontrollin e Qeverisë së Kinës.
Sipas analizës së raporteve financiare nga Radio Evropa e Lirë, EPS-ja i ka paguar rreth 460 milionë euro kompanisë Shenhua International Trading, me seli në Hong Kong, për furnizimin me qymyr nga Indonezia.
Pagesat janë bërë gjatë periudhës 2022-2025.
Megjithatë, detajet e marrëveshjes mbeten të panjohura.
Kontratat e EPS-së nuk janë publike, ndërsa as kompania serbe dhe as Shenhua International Trading nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë bashkëpunim.
Edhe pse vazhdon të importojë qymyr nga Indonezia, EPS-ja i tha Radios Evropa e Lirë se, aktualisht, nuk ka kontratë me kompaninë Shenhua International Trading.
“EPS-ja ka bashkëpunim shumë të suksesshëm me kompani nga e gjithë bota, si dhe marrëdhënie shumë të mira me kompani nga Republika Popullore e Kinës”, thuhet në përgjigje.
Kompania nuk sqaroi se me cilat kompani bashkëpunon tani për importin e qymyrit nga Indonezia dhe pse, në vitet e kaluara, zgjodhi si partnere pikërisht një kompani shtetërore kineze.
“Politika dhe energjia janë të lidhura ngushtë në botën e sotme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Petar Gjukiq, profesor në pension i Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik në Beograd.
Bashkëpunimi mes Beogradit dhe Pekinit në sektorin e energjisë është pjesë e marrëdhënieve më të gjera mes dy vendeve, të cilat udhëheqësit e tyre i kanë përshkruar si “miqësi e çeliktë”.
Deri më tani, EPS-ja ka realizuar disa projekte me kompani kineze, ndër të cilat veçohet ndërtimi i bllokut të ri të termocentralit në Kostollac, në lindje të Serbisë.

Pse Indonezia?
Me një prodhim vjetor që tejkalon 800 milionë tonë, Indonezia është një nga prodhueset më të mëdha të qymyrit në botë.
Importuesit më të mëdhenj të qymyrit indonezian janë ekonomitë kryesore të Azisë, si: Kina, India dhe Japonia.
Që nga viti 2022, edhe Serbia ka nisur ta importojë këtë qymyr, megjithëse në sasi shumë më të vogla.
Kjo rezulton nga raportet financiare të EPS-së, të publikuara në faqen e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë.
Si EPS-ja, ashtu edhe Ministria serbe e Minierave dhe Energjetikës, e cila mbikëqyr punën e kësaj kompanie shtetërore, thonë për Radion Evropa e Lirë se qymyri i importuar përdoret për të përmirësuar cilësinë e qymyrit vendor, e cila ka rënë nga viti në vit.
Në termocentrale, sipas tyre, qymyri i importuar përzihet me atë vendor, sepse ka vlerë më të lartë kalorifike dhe përmban shumë më pak squfur dhe hi, duke shkaktuar kështu edhe më pak ndotje të mjedisit.
“Qymyri i siguruar nga tregu i Indonezisë përdoret pikërisht për këtë qëllim”, thuhet në përgjigjen e EPS-së.

Kompania shton se paqëndrueshmëria në tregun global të energjisë e ka detyruar t’i diversifikojë burimet e furnizimit.
Megjithatë, ajo nuk zbulon se cilët janë partnerët e saj në importin e qymyrit.
EPS-ja thotë vetëm se respekton me përpikëri ligjet dhe se procedurat e saj janë transparente.
Sipas të dhënave të kompanisë, 95 për qind e qymyrit të përdorur në termocentralet e saj gjatë vitit të kaluar, është prodhuar në Serbi, ndërsa rreth 5 për qind ka ardhur nga importi.
Sa qymyr mbërriti nga Indonezia në Serbi?
Gjatë vitit të kaluar, EPS-ja importoi pak më shumë se një milion tonë qymyr nga Indonezia, ndërsa rreth 700 mijë tonë të tjerë i arritën nga vendet e rajonit.
Në raportet financiare të kompanisë, këto vende përfshijnë: Bosnje dhe Hercegovinën, Rumaninë, Greqinë dhe Malin e Zi.
EPS-ja nuk tregon se përmes cilave kompani është importuar qymyri nga këto vende dhe as raportet financiare nuk japin detaje për kontratat, transportin apo ndërmjetësuesit.
Ndryshe ndodh me qymyrin nga Indonezia.
Raportet financiare për periudhën 2022-2025 tregojnë se ai i ka mbërriturr përmes një partneri kinez.
Për blerjen është angazhuar kompania Shenhua International Trading, e regjistruar në Hong Kong.

Sipas faqes zyrtare të kompanisë, aktiviteti i saj kryesor është tregtia ndërkombëtare me qymyr dhe energjentë të tjerë.
Ajo është pjesë e një grupi që kontrollohet nga Qeveria kineze.
Që nga viti 2022, kur Serbia ka nisur importin e qymyrit nga Indonezia, sasia e importuar ka ndryshuar nga viti në vit.
Viti 2023 ishte rekord: vetëm atë vit, Serbia pagoi më shumë se 170 milionë euro për qymyrin e importuar nga Indonezia.
Raportet e EPS-së tregojnë, gjithashtu, se çmimi i qymyrit nga Indonezia rritet ndjeshëm gjatë rrugës deri në Serbi.
Sipas dokumenteve, çmimi fillestar i qymyrit varion nga 30 deri në 50 euro për ton.
Por, derisa mbërrin në Serbi, ai rritet gati trefish.
Pas kostove të ngarkimit dhe shkarkimit, doganës dhe transportit të ndërlikuar, çmimi për ton arrin nga 100 deri në 150 euro.

Deri kur do të importojë Serbia qymyr nga Indonezia?
Edhe pse deri vitin e kaluar Serbia importonte qymyr edhe nga vendet fqinje, kjo nuk ndodh më.
Sipas Ministrisë serbe të Minierave dhe Energjetikës, gjatë vitit 2026, EPS-ja është duke u mbështetur vetëm në importin e qymyrit nga Indonezia.
“EPS-ja, aktualisht, nuk ka kontrata aktive për furnizim me qymyr nga vendet e rajonit, por vetëm nga Indonezia”, tha ministria për Radion Evropa e Lirë.
Sipas dokumenteve të biznesit të EPS-së, këtë vit planifikohet të importohen rreth 1.4 milion tonë qymyr nga Indonezia.
Megjithatë, kompania nuk iu përgjigj pyetjeve se pse qymyri importohet pikërisht nga Indonezia dhe nëse janë shqyrtuar alternativa të tjera.
“Deri më tani, qymyri që nxjerrim në vend është i cilësisë së dobët, nuk i përshtatet teknologjisë sonë, nuk ka mjaftueshëm dhe cilësia e tij vazhdon të bjerë”, thotë Petar Gjukiq, profesor në pension i Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik në Beograd.
Sipas tij, në Bashkimin Evropian, vendet e të cilit e rrethojnë Serbinë, është gjithnjë e më e vështirë të gjenden furnizues të mëdhenj të qymyrit, pasi prodhimi në Evropë ka rënë në nivelet më të ulëta historike.
“Shumica e vendeve të BE-së i kanë shteruar rezervat e qymyrit cilësor dhe janë orientuar drejt burimeve të tjera të energjisë. Për më tepër, Bashkimi Evropian i ka vendosur vetes objektiva ambiciozë për t’u mbështetur deri në vitin 2040 vetëm në burime të ripërtëritshme dhe për të përshpejtuar dekarbonizimin”, thotë Gjukiq.

Heqja dorë nga qymyri është pjesë e strategjisë së BE-së për uljen e ndotjes.
Edhe Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, është zotuar se do ta nxjerrë qymyrin jashtë përdorimit deri në vitin 2050.
Por, tash për tash, ajo nuk ka hequr dorë as nga prodhimi dhe as nga importi i tij.
“Ky model nuk është i qëndrueshëm, sepse një sistem energjetik i qëndrueshëm nuk nënkupton zhvillimin e mëtejshëm të qymyrit, por uljen drastike të përdorimit të tij”, vlerëson Gjukiq.
Rreth dy të tretat e energjisë elektrike në Serbi vazhdojnë të prodhohen nga termocentralet, të cilat renditen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.
EPS-ja thotë se po investon në modernizimin e sistemit energjetik, por se termocentralet mbeten të domosdoshme për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
“Edhe pse me një pjesëmarrje gjithnjë e më të vogël dhe paralelisht me ndërtimin e kapaciteteve të reja bazë, përdorimi i qymyrit dhe termocentralet do të jenë të nevojshme deri në vitin 2050”, thotë kompania për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të EPS-së dhe Ministrisë së Minierave, gjatë vitit 2025, në minierat e Serbisë u prodhuan 32.8 milionë tonë qymyr – rreth dy milionë tonë më shumë se një vit më parë.
Institucionet serbe thonë se importi i qymyrit është duke rënë nga viti në vit.
Gjatë vitit 2025 u importuan 1.79 milion tonë, më pak se në vitin 2024 dhe rreth gjysma e sasisë së importuar në vitin 2023.
Sipas tyre, ky trend ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026: në gjashtë muajt e parë të vitit është importuar 30 për qind më pak qymyr sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Si mbërrin qymyri nga Indonezia në Serbi?
Udhëtimi i gjatë i qymyrit nga Indonezia drejt Serbisë nis në minierat indoneziane, prej nga transportohet fillimisht drejt porteve të mëdha të vendit.
Atje, ai ngarkohet në anije oqeanike që nisen drejt Evropës – një udhëtim që mund të zgjasë deri në 40 ditë.
Rruga më e zakonshme dhe më e shpejtë kalon përmes Oqeanit Indian dhe Kanalit të Suezit.
Pasi mbërrin në ujërat evropiane, qymyri shkarkohet në portet e vendeve fqinje të Serbisë që kanë dalje në det.
Nga këto porte, ai transportohet drejt Serbisë.
Për këtë pjesë të rrugës, EPS-ja ka hapur tenderë për transportin e qymyrit deri në destinacionin përfundimtar.

Tenderët publikë, të analizuar nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se qymyri mbërrin në Serbi përmes tri rrugëve kryesore.
Gjatë katër vjetëve të fundit, anijet kanë shkarkuar qymyrin në portin e Konstancës në Rumani, në Detin e Zi, si dhe në portet e Tivarit në Mal të Zi dhe Plloçës në Kroaci, në Detin Adriatik.
Nga portet e Tivarit dhe Plloçës, qymyri është transportuar me tren deri te termocentrali “Nikolla Teslla” (TENT) – kompleksi më i madh termoenergjetik në Serbi.

Për transportin nga Konstanca janë përdorur edhe maune të lumit.
Përmes Danubit dhe Savës, qymyri është dërguar deri te termocentrali “Nikolla Teslla” (TENT).

Për transportimin e qymyrit të importuar nga portet e rajonit deri në Serbi, EPS-ja ka shpenzuar më shumë se 160 milionë euro.
Përveç kompanive shtetërore hekurudhore të Serbisë dhe Malit të Zi – Srbija Kargo dhe Montecargo – në këtë proces janë angazhuar edhe kompani të mëdha transporti nga Kroacia dhe Rumania.
Kur ka nisur EPS-ja importin e qymyrit?
Raportet e EPS-së para vitit 2021 nuk tregojnë import të qymyrit nga jashtë Serbisë.
Deri atëherë, minierat vendore, kryesisht Kollubara dhe Kostollaci, mbulonin nevojat e termocentraleve të kompanisë.
Por, në dhjetor të vitit 2021, sistemi energjetik serb u përball me një kolaps.
Në termocentralin “Nikola Teslla” në Obrenovac ndodhi një avari e rëndë, duke lënë pa energji elektrike dhjetëra mijëra familje.
Shkaku, sipas autoriteteve, ishte cilësia e dobët e qymyrit vendas.
Që nga ajo kohë, sipas raporteve të EPS-së, kompania nisi importin e qymyrit për të mbajtur në funksion termocentralet.
Krahas qymyrit, Serbia u detyrua të importonte edhe energji elektrike, ndërsa EPS-ja pësoi humbje financiare.
Importi u arsyetua edhe me tronditjet në tregjet globale të energjisë, të shkaktuara fillimisht nga pandemia COVID-19, e më pas nga pushtimi rus i Ukrainës.
Ndërsa një pjesë e ekspertëve fajësonte drejtuesit e EPS-së për menaxhim të dobët, kompania argumentonte se kriza globale ishte reflektuar në mënyrë të pashmangshme edhe në Serbi, duke shkaktuar pasoja të mëdha në sektorin energjetik.
Në gusht të vitit 2022, edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, foli publikisht për përpjekjet e shtetit për të siguruar furnizime me qymyr.
“Po vazhdojmë të blejmë qymyr, kudo ku e gjejmë dhe çfarëdo sasie që mundemi”, deklaroi ai.

Megjithatë, detajet e këtyre blerjeve mbeten të panjohura.
Që në vitin 2023, EPS-ja refuzon t’i japë Radios Evropa e Lirë të dhëna për importin e qymyrit, përfshirë kontratat me kompanitë furnizuese, çmimet dhe mënyrën e transportit.
Arsyetimi është se këto informacione janë “konfidenciale” dhe se publikimi i tyre mund të “rrezikojë stabilitetin energjetik” të Serbisë.
Profesori Gjukiq thotë se, si kompani shtetërore në pronësi të qytetarëve, EPS-ja ka përgjegjësi të veçantë për transparencë.
“Do të ishte krejt normale që puna e saj të ishte transparente, në mënyrë që qytetarët të dinë se çfarë bëhet dhe cilat janë drejtimet strategjike”, thotë ai.
Sipas tij, një pjesë e informacionit mund të mbetet sekret tregtar, por të dhënat mbi mënyrën e funksionimit të kompanisë dhe marrëdhëniet e saj me institucionet shtetërore duhet të jenë të qasshme për publikun.
Ndaj kritikave për mungesë transparence, Ministria serbe e Minierave dhe Energjetikës përgjigjet se blerja e energjentëve nuk i nënshtrohet Ligjit për Prokurimin Publik.
Kjo do të thotë se EPS-ja mund ta blejë qymyrin pa zhvilluar tenderë publikë, edhe pse, sipas ministrisë, kompania respekton parimin e konkurrencës.
“Edhe pse nuk është e detyruar ta zbatojë Ligjin për Prokurimin Publik për blerjen e qymyrit për prodhimin e energjisë, EPS-ja e siguron qymyrin përmes thirrjeve publike, ku mund të aplikojnë të gjitha kompanitë e interesuara, e të cilat publikohen në mënyrë transparente”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Radion Evropa e Lirë.

Si funksionon EPS-ja?
EPS-ja ka monopol në prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset në Serbi.
Në vitin 2025, kompania realizoi fitim prej mbi 360 milionë eurosh, duke u renditur ndër kompanitë më fitimprurëse në vend.
Ajo është, gjithashtu, punëdhënësi më i madh në Serbi, me rreth 19 mijë të punësuar.
“Nga të gjitha ndërmarrjet e mëdha publike, qarkullimi më i madh i parasë bëhet në sistemin e EPS-së”, thotë profesori Gjukiq.
“Kur keni fuqi të madhe, marrëdhënie jotransparente dhe vendimmarrje të centralizuar – sidomos kur ajo ndikohet nga pushteti politik – gjithmonë lindin dyshime për korrupsion. Asnjë sistem nuk është imun ndaj kësaj”, shton ai.

Megjithëse sot regjistron fitime të larta nga shitja e energjisë dhe zotëron asete me vlerë, EPS-ja, për vite me radhë, ka kryesuar listën e kompanive në Serbi me humbjet më të mëdha të akumuluara, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve.
Në fund të vitit 2025, humbjet e bartura nga vitet e kaluara arrinin në rreth 1.8 miliard euro.
Kompania i arsyeton këto humbje me borxhet e grumbulluara ndër vite, duke thënë se problemet shumëvjeçare dhe kolapset financiare kanë lënë pasoja të thella në funksionimin e këtij gjiganti shtetëror.
Ndërsa EPS-ja pohon se po zbaton vazhdimisht reforma dhe se procesi i transformimit dhe modernizimit vazhdon, reforma e kompanisë mbetet prej vitesh një nga kërkesat kryesore që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ua parashtron autoriteteve në Beograd.
