Shtëpia e Bardhë konfirmon pjesëmarrjen e Trump në finalen e Botërorit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, që zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife” në New Jersey.

Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, e cila bëri të ditur se Trump do ta ndjekë nga afër ndeshjen më të madhe të turneut dhe më pas do t’ia dorëzojë trofeun ekipit fitues.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cilësoi Botërorin 2026 si turneun më të ndjekur, më të sigurt dhe më të suksesshëm të organizuar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara.

Përpara finales, Trump do të marrë pjesë edhe në një pritje të organizuar nga FIFA në Trump Tower në New York, ku pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Edhe pse Infantino kishte njoftuar që në muajin qershor se presidenti amerikan do të merrte pjesë në finale, konfirmimi zyrtar nga Shtëpia e Bardhë erdhi vetëm tani.

Sipas zëdhënëses Leavitt, nuk dihet ende nëse Trump do të mbështesë Spanjën apo Argjentinën gjatë finales.

Trump nuk ka ndjekur asnjë ndeshje të Botërorit 2026 deri më tani, por ka qenë pjesë e debatit publik gjatë turneut. Më herët ai kishte bërë të ditur se i kishte kërkuar presidentit të FIFA-s të rishikonte kartonin e kuq të sulmuesit amerikan Folarin Balogun. Pas këtij komunikimi, FIFA vendosi t’i hiqte pezullimin një ndeshje futbollistit.

Gjithashtu, Trump ka deklaruar vazhdimisht se ka luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e organizimit të Kupës së Botës 2026 nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika.

Prania e tij në ceremoninë e ndarjes së trofeut pritet të tërheqë vëmendje të madhe, sidomos pas episodit të finales së Kupës së Botës për Klube, kur ai qëndroi në podium gjatë festimeve të Chelseat, duke krijuar një moment që u komentua gjerësisht në mediat ndërkombëtare.


Go to TOP