E konfirmon Tuchel: Rice gati për ndeshjen ndaj Argjentinës
Pak minuta para ndeshjes Angli-Argjentinë, trajneri i ‘Tre Luanëve’, Thomas Tuchel, ka konfirmuar se Declan Rice do të startojë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës.
Mesfushori i Arsenalit kishte pasur probleme shëndetësore dhe u zëvendësua në pushimin e ndeshjes çerekfinale ndaj Norvegjisë, por tashmë është rikuperuar dhe do të jetë në dispozicion për sfidën e madhe në Atlanta.
“Të gjithë janë të gatshëm për të startuar. Të gjithë kanë qenë në stërvitje, përveç Jarell Quansah, i cili është i pezulluar, dhe Jordan Hendersonit”, deklaroi Tuchel.
Për Rice, trajneri gjerman shtoi se mesfushori është rikuperuar sa më shumë që ishte e mundur dhe është gati për një rol titullari.
Ndërkohë, Tuchel foli edhe për rivalitetin historik mes Anglisë dhe Argjentinës, duke e cilësuar përballjen si një duel mes dy kombeve të mëdha të futbollit.
“Është një rivalitet i madh. Dy kombe të mëdha të futbollit. Të gjithë ata që e duan dhe e ndjekin Kupën e Botës e dinë çfarë sjell kjo përballje”, u shpreh trajneri i Anglisë.
Ai paralajmëroi një ndeshje me intensitet të lartë dhe shumë emocione, por theksoi se skuadra e tij nuk do të ndikohet nga historia e përplasjeve mes dy kombëtareve.
Përballjet mes Anglisë dhe Argjentinës kanë prodhuar disa nga momentet më të famshme në historinë e Kupës së Botës, përfshirë duelin e vitit 1986, kur Diego Maradona shënoi golin e famshëm me dorë dhe një nga golat më të bukur në histori, si dhe përballjen e vitit 1998 që u vendos nga penalltitë.
Megjithatë, Tuchel insistoi se fokusi i Anglisë është vetëm te sfida e radhës.
“Ne e dimë pse jemi këtu dhe çfarë duam. Jemi në gjysmëfinale dhe jemi shumë të motivuar. E respektojmë kundërshtarin, por nuk do të mbështetemi te ngjarjet historike”, përfundoi ai.
