Malisheva thyen Vllazninë, kalon në rundin e dytë të Conference League
Vllaznia ka përjetuar një nga duelet më të hidhura në arenën europiane. Skuadra shkodrane është eliminuar nga Liga e Konferencës pas një humbjeje të rëndë 5-0 ndaj Malishevës në Kosovë.
Pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë në stadiumin “Loro Boriçi”, kuqeblutë udhëtuan me avantazhin minimal, por në sfidën e kthimit nuk arritën të përballojnë presionin e skuadrës së drejtuar nga Thomas Brdariç.
Malisheva e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 34-t me Ukën, i cili realizoi pas disa rasteve të krijuara nga vendasit. Në fundin e pjesës së parë, Ibishi dyfishoi shifrat në minutën 45+2 duke e çuar Vllazninë në dhomat e zhveshjes në një situatë shumë të vështirë.
Në pjesën e dytë, skuadra kosovare nuk uli ritmin dhe vulosi gjithçka me dy gola të tjerë. Uka shënoi sërish në minutën e 52-të, ndërsa Veliu vetëm gjashtë minuta më vonë realizoi golin e katërt, ndërsa në fund shënoi edhe Dulaj duke kompletuar një mbrëmje perfekte për Malishevën.
Vllaznia nuk arriti të reagojë në asnjë moment dhe u shfaq e pafuqishme si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në mbrojtje. Pavarësisht fitores në ndeshjen e parë, avantazhi u përmbys në mënyrë spektakolare nga skuadra kosovare.
Kjo ishte një goditje e madhe për klubin shkodran, i cili largohet nga Europa pas një paraqitjeje zhgënjyese në ndeshjen vendimtare.
Nga ana tjetër, Malisheva, nën drejtimin e ish-trajnerit të Vllaznisë, Thomas Brdariç, feston një kualifikim të madh.
REZULTATI:
Malisheva 5-0 Vllaznia
34’, 52’ Uka, 45+2’ Ibishi, 58’ Veliu, 90′ Dulaj
