Messi mezi po e pret përballjen me Anglinë: `Një ndeshje e veçantë`

Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, mezi pret përballjen me Anglinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar atë si një ndeshje të veçantë në karrierën e tij.

Pas fitores 3:1 ndaj Zvicrës në çerekfinale, të siguruar vetëm pas vazhdimeve, Messi ka thënë se kjo do të jetë hera e parë që përballet me Anglinë në një Botëror.

“Është një ndeshje e veçantë. Është hera ime e parë kundër Anglisë. Kam luajtur kundër pothuajse të gjithëve, përveç tyre. Është një përballje ndryshe, kundër një kombëtare me traditë të madhe dhe është gjithmonë fantastike të luash një ndeshje të tillë në gjysmëfinale”, ka deklaruar ai.

Messi ka vlerësuar edhe mentalitetin fitues të skuadrës argjentinase, e cila vazhdon të kërkojë suksese edhe pas triumfit në Kupën e Botës dhe Copa America.

“Kjo skuadër nuk ndalet kurrë. Gjithmonë dëshiron më shumë dhe synon të jetë mes më të mirëve. Ajo që kemi arritur nuk është aspak e lehtë: kemi fituar Kupën e Botës, Copa America dhe tani kemi arritur sërish në gjysmëfinale”, është shprehur ai.

Megjithatë, tridhjetë e tetë vjeçari e ka pranuar se ekipi po ndien lodhjen fizike pas ndeshjeve të vështira në fazën eliminatore. Argjentina ka luajtur dy takime radhazi me vazhdime, fillimisht ndaj Egjiptit në 1/8 e finales dhe më pas kundër Zvicrës në çerekfinale.

“Do të përpiqemi të pushojmë. Skuadra po e ndien lodhjen, por do të jemi në gjendjen më të mirë të mundshme për të vazhduar garën”, ka thënë Messi.

Ai ka përgëzuar edhe bashkëlojtarët në repartin ofensiv, duke veçuar Julián Alvarez për golin e shënuar në vazhdime.

“Ishte një gol i jashtëzakonshëm. Ai ka cilësi të nivelit botëror dhe e ka treguar këtë vazhdimisht. Më gëzoi rezultati, goli i tij dhe ai i Lautaro Martínez. Duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë”, ka thënë kapiteni argjentinas.


Go to TOP