Ish-ministri holandez i Mbrojtjes pendohet për “mundësitë e humbura” për të parandaluar rënien e Srebrenicës
Ministri holandez i Mbrojtjes gjatë rënies së Srebrenicës në vitin 1995 tha për BIRN se u përpoq më kot të përforconte batalionin holandez të dislokuar në “zonën e sigurt” të OKB-së dhe fajëson veten, qeverinë e tij dhe aleatët perëndimorë për dështimin në mbrojtjen e saj.
Joris Voorhoeve thotë se Srebrenica nuk ishte e destinuar të binte.
Tridhjetë e një vjet pas rënies së saj, Voorhoeve, i cili në atë kohë ishte ministër i Mbrojtjes i Holandës, tha për BIRN se ai kërkoi vazhdimisht që të përforcohej batalioni holandez paqeruajtës i vendosur në “zonën e sigurt” të shpallur nga OKB-ja.
Ai thotë se u pengua nga vendi i tij dhe shtete të tjera, si edhe nga lidershipi i Ushtrisë Mbretërore Holandeze, nga Bashkimi Evropian dhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Në listën e gjatë të atyre që dështuan përballë Ushtrisë Serbe të Bosnjës të udhëhequr nga Ratko Mlladiç,ai përfshin edhe veten.
Më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë u masakruan pas rënies së Srebrenicës në korrik të vitit 1995, një masakër që u zhvillua gjatë pesë ditëve dhe që është cilësuar si gjenocid në një sërë vendimesh gjyqësore.
Në përgjithësi, Holanda e ka paraqitur veten si të pafuqishme për të ndalur ofensivën e Mlladiçit, duke argumentuar se ishte mashtruar nga aleatët e saj dhe nga dështimi i NATO-s për të ndërmarrë sulme ajrore më herët.
“Nëse avionët e NATO-s do të kishin ndërhyrë disa ditë më parë, e shumta më 10 korrik, kjo mund ta kishte ndryshuar atë përfundim tragjik”- tha Voorhoeve, tashmë 80 vjeç. Por ai fajëson edhe veten dhe thotë se rrallë kalon një ditë pa menduar për atë që ndodhi.
“Srebrenica nuk ishte e destinuar të binte”- tha Voorhoeve për BIRN.
“Natyrisht, ekziston vetëm një fajtor i vërtetë, njeriu që dha urdhrin: Mlladiçi. Por të gjitha vendet e përfshira në përpjekjen për ta shpëtuar Srebrenicën mbajnë, në shkallë të ndryshme, përgjegjësi për neglizhencën. Kjo përfshin vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe, sigurisht, edhe mua. Kisha marrë përsipër detyrën të përpiqesha ta shpëtoja atë enklavë, por dështova.”
Inercia institucionale
Sipas Voorhoeve-s, që nga momenti kur mori detyrën në vitin 1994, ai u përpoq të forconte kontingjentin holandez në Srebrenicë, të njohur si Dutchbat.
Ai thotë se besonte që lidershipi i ushtrisë holandeze po përpiqej të ruante një neutralitet të paqëndrueshëm, në vend që të mbronte në mënyrë aktive boshnjakët që kishin vërshuar drejt Srebrenicës duke kërkuar siguri nga spastrimi etnik dhe mizoritë e kryera nga forcat serbe të Bosnjës.
Duke besuar se i gjithë operacioni paqeruajtës ishte i pajisur në mënyrë të pamjaftueshme, Voorhoeve thotë se u kërkoi kolegëve të tij, ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s: “Kush do të na bashkohet? Kush do të vijë të na ndihmojë në Srebrenicë?”
“Mendimi im ishte se, nëse do të ishin të pranishme më shumë vende, veçanërisht vende më të mëdha, kjo do të shërbente si një pengesë më e fuqishme. Askush nuk donte.”
Bisedimet dypalëshe të mëvonshme me Spanjën dhe Danimarkën rezultuan po aq të pafrytshme, tha ai për BIRN.
Në mars të vitit 1995, gjatë një konference për sigurinë në Mynih, Voorhoeve paralajmëroi se po bëhej gjithnjë e më e pamundur garantimi i sigurisë së enklavave në lindje të Bosnjës. Pasi u injorua sërish, ai shkroi një artikull për International Herald Tribune, duke i bërë thirrje NATO-s të merrte përgjegjësi të plotë për Srebrenicën. Artikulli nuk u botua kurrë.
“Ministri i Punëve të Jashtme më ndaloi ta botoja”- tha Voorhoeve. Ai tha për BIRN se ministri i atëhershëm, Hans van Mierlo, argumentoi se ai, van Mierlo, ishte përgjegjës për politikën holandeze ndaj Kombeve të Bashkuara dhe se detyra e Ministrisë së Mbrojtjes ishte vetëm zbatimi i asaj politike.
Voorhoeve kujton se kërkoi një takim me van Mierlo-n për të diskutuar çështjen, por kur u takuan, ai thotë se ministri i Jashtëm në thelb e shpërfilli.
Van Mierlo vdiq në vitin 2010. Voorhoeve tha: “Nuk bëhet fjalë vetëm për të. Ishte një ministri e tërë me zyrtarë.”
“Neglizhenca ime ishte se nuk e vendosa këtë çështje në rendin e ditës të Këshillit të Ministrave. Duhej t’i kisha thënë kryeministrit Wim Kok: ‘Qasja jonë aktuale është tepër e dobët dhe unë dua një strategji të re’. Ndoshta do të kishim arritur në të njëjtin përfundim, por të paktën duhej të kisha provuar.”
Ai pranoi gjithashtu se kishte dështuar të kërkonte armë më të fuqishme për ushtarët holandezë, të cilët kishin vetëm armë të lehta.
“Nuk e di nëse do t’ia kisha dalë, por nuk u përpoqa të siguroja armë më të rënda”- tha Voorhoeve. “Edhe kjo mund të shihet si neglizhencë.”
Voorhoeve tha se nuk donte një përplasje të hapur me ministrin e Jashtëm dhe udhëheqjen e ushtrisë. Ai gjithashtu shpreh keqardhje që nuk udhëtoi në Zagreb të Kroacisë për t’u konsultuar me komandantin francez të forcave të OKB-së, gjeneralin Bernard Janvier, kur Mlladiqi nisi sulmin ndaj Srebrenicës, por qëndroi në Hagë.
Kur enklava ra, Voorhoeve tha se mendoi të jepte dorëheqjen, por Kok i kërkoi të mos e bënte, “sepse kjo do të krijonte gabimisht përshtypjen se dështimi i Holandës kishte shkaktuar këtë tragjedi”.
“Ai argumentoi se ishte dështimi i OKB-së.”
Një perspektivë e re kritike
Pavarësisht daljes në dritë të fakteve të tilla dhe viteve të studimit nga organizata si Instituti Holandez për Dokumentimin e Luftës (NIOD), narrativa zyrtare holandeze ka mbetur e përqendruar tek ideja se batalioni holandez ishte i pafuqishëm për të parandaluar rënien e Srebrenicës.
Megjithatë, tani ka dalë në pah një qëndrim më kritik përmes kërkimeve të historianëve të lidhur, në mënyrë disi ironike, me vetë Ministrinë e Mbrojtjes të Holandës dhe të botuara në Militaire Spectator, një revistë e lidhur me ministrinë.
“Brenda ministrisë ekziston një shqetësim se mos ofendohen veteranët e Dutchbat-it”- tha nënkoloneli Dion Landstra, një nga studiuesit.
“Por ne e kemi bërë të qartë: nuk bëhet fjalë për veteranët. Ata u dërguan në një mision që ishte i destinuar të dështonte. Nga ana tjetër, kur veteranët thonë: ‘Ne nuk mund të bënim asgjë, nuk na lejohej’, kjo thjesht nuk është e vërtetë. Nuk mund të vazhdojmë të themi: ‘Kjo thjesht na ndodhi neve’,” tha Landstra. “Njerëzit preferuan të fajësonin OKB-në, por është e rëndësishme që tani të zhvillojmë një diskutim për përgjegjësinë tonë.”
Me kalimin e kohës, hapësira për vetëreflektim po zgjerohet.
“Srebrenica na mëson se mandatet ndërkombëtare janë efektive vetëm kur shoqërohen nga vullneti politik dhe qartësia morale”- tha Landstra. “Duhet të mësojmë nga gabimet tona në vend që t’i mbyllim sytë ndaj kësaj historie të dhimbshme.”
Vitin e kaluar, të njëjtët studiues publikuan një analizë kritike që sfidonte narrativën e pashmangshmërisë, duke u përqendruar tek interpretimi “i ngushtë dhe kufizues” i mandatit paqeruajtës të OKB-së.
Rezoluta 836 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së autorizonte shprehimisht trupat e UNPROFOR-it të përdornin forcën për të mbrojtur zonat e sigurta, dhe kjo forcë u përdor vërtet në Gorazde, Bihac dhe Tuzla.
Autorët arrijnë në përfundimin se zgjedhja e pasivitetit në Srebrenicë nuk ishte një domosdoshmëri e pashmangshme, por më tepër rezultat i një kulture administrative që favorizonte kujdesin ekstrem në menaxhimin e krizave.
Landstra është kritik ndaj gjetjeve të raportit të NIOD-it të vitit 2002.
“Raporti i NIOD-it e mbrojti në një masë të madhe lidershipin e ushtrisë”- tha ai. “Si është e mundur që gjatë gjithë kohës që Dutchbat-i ishte në Srebrenicë, nuk u bë asnjë vlerësim i ri i rrezikut? Ligjërisht, shumë gjëra ishin të mundshme, por u zgjodh të mos vendoseshin armë më të rënda.”
“Një shpjegim i rëndësishëm qëndron te marrëdhënia problematike midis nivelit strategjik në ministri dhe realitetit operacional të ushtrisë: shmangia politike e rrezikut u përkthye në një interpretim të ngushtë ushtarak të mandatit, gjë që i bëri opsionet e disponueshme të dukeshin më pak realiste sesa ishin në të vërtetë.”
Nëse armët më të rënda ose një përdorim më aktiv i forcës do ta kishin parandaluar gjenocidin, kjo mbetet ende një çështje debati historik.
Por Landstra është i bindur: “Holanda tregoi gatishmëri të pamjaftueshme për të pranuar nivelin e rrezikut që mund të kërkojë një mision për mbrojtjen e civilëve. Veshja e uniformës së gjelbër ndonjëherë do të thotë të pranosh rreziqe që nuk mund të shmangen plotësisht.”
Voorhoeve thotë se nuk përpiqet më të justifikojë veprimet e tij, por dëshiron që të nxirren mësime për të ardhmen.
“Mendoj pothuajse çdo ditë për këtë”- tha ia për BIRN.
“Një numër i madh burrash dhe djemsh u qëlluan për vdekje dhe kjo nuk duhej të kishte ndodhur. Po i zbuloj këto informacione si pjesë e një përpjekjeje për të kuptuar se çfarë duhej të ishte bërë ndryshe, gjë që është thelbësore për situata të ngjashme diku tjetër në botë.”
