Shatrolli ngre alarmin: Po shembet rruga te blloku A dhe B në Veternik, banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve

Regjisori Naser Shatrolli ka reaguar publikisht duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të institucioneve lidhur me, sipas tij, shembjen e rrugës dhe largimin e gjelbërimit pranë blloqeve A dhe B në lagjen Veternik, në rrugën “Behar Begolli” në Prishtinën e Re.

Përmes një reagimi, Shatrolli u ka bërë thirrje mediave, Policisë së Kosovës dhe inspektoratit kompetent që të dalin në mbrojtje të pronës dhe interesit të banorëve. Ai pretendon se punimet po zhvillohen të shtunën, ditë pushimi, pa njoftim paraprak për banorët.

Sipas tij, me këto veprime po mbyllet rruga e qarkullimit të automjeteve dhe po shkatërrohet gjelbërimi, elemente që, siç thekson, janë jetike për përditshmërinë e banorëve dhe fëmijëve të zonës.

Shatrolli shprehet se ndihet i mashtruar dhe i shqetësuar duke ngritur dyshime se banesat janë shitur pikërisht duke u bazuar në infrastrukturën ekzistuese dhe hapësirat e gjelbra, të cilat tani, sipas tij, po zhduken.

Ai e cilëson situatën si një skandal dhe kërkon sqarime nga institucionet përgjegjëse për ligjshmërinë e punimeve dhe mbrojtjen e të drejtave të banorëve. Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me këto pretendime. /Kosova.info/

Go to TOP