Devijohen përkohësisht linjat 3 dhe 4 të Trafikut Urban në Prishtinë për shkak të punimeve në rrugën “Fehmi Lladrovci”
Trafiku Urban ka njoftuar qytetarët se, nga 10 deri më 18 korrik 2026, do të ketë devijim të përkohshëm të itinerarit për linjat nr. 3 dhe nr. 4, si pasojë e punimeve infrastrukturore dhe bllokimit të rrugës “Fehmi Lladrovci”, në segmentin nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit, sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës.
Sipas njoftimit, ndryshimi vlen vetëm në drejtimin e ardhjes.
Linja nr. 3 (Bardhosh – Rrethi i Matit) do të qarkullojë nëpër rrugët: Eqrem Çabej – Afrim Zhitia – Xhevë Lladrovci – Astrit dhe Arbnor Dehari – Rrethi i Matit.
Ndërkaq, linja nr. 4 (Parku i Gërmisë – Matiqan) do të devijohet në itinerarin: Eqrem Çabej – Afrim Zhitia – Xheladin Rekaliu – Matiqan.
Në drejtimin Matiqan – Parku i Gërmisë për linjën nr. 4 dhe Rrethi i Matit – Bardhosh për linjën nr. 3, autobusët do të vazhdojnë të qarkullojnë sipas itinerarit të rregullt.
Trafiku Urban u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim gjatë periudhës së realizimit të punimeve. /Kosova.info/
