LDK del me 5 pika pas mbledhjes së Kryesisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar pesë përfundime pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, ku është diskutuar rezultati i zgjedhjeve të fundit, zhvillimet e brendshme partiake dhe situata politike në vend.

Përmes një komunikate, LDK ka vlerësuar angazhimin e strukturave partiake, kandidatëve, aktivistëve dhe anëtarësisë gjatë procesit zgjedhor. Sipas partisë, rezultati i arritur paraqet një rritje, por nuk është në nivelin e synimeve të përcaktuara.

“Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike”, thuhet në komunikatë.

Sipas vlerësimit të Kryesisë, adresimi i dobësive dhe puna për rritjen e mbështetjes qytetare mbetet përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të partisë.

Në mbledhje, Kryesia ka shprehur përkrahje për kryetarin Lumir Abdixhiku për vazhdimin e udhëheqjes së proceseve politike dhe organizative, si dhe për angazhimin në bisedimet me partitë parlamentare për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

LDK ka bërë të ditur se procesi i zgjedhjeve të brendshme do të zhvillohet sipas afateve të përcaktuara, duke theksuar se çështjet partiake duhet të trajtohen përmes mekanizmave të paraparë në statut.

“LDK i ka institucionet, Statutin dhe mekanizmat e saj demokratikë. Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë”, ka deklaruar Kryesia.

Në fund të komunikatës, LDK ka kërkuar nga anëtarësia dhe strukturat e saj që fokusin ta vendosin në fuqizimin e partisë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve, duke theksuar nevojën për një LDK “të bashkuar, e qëndrueshme dhe e përqendruar në ofrimin e alternativës së saj politike”. /Kosova.info/


Go to TOP