Zemaj: 150 nënshkrime për Kuvend, Abdixhiku: S’ka kërkesë të dorëzuar
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se në parti janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime për kërkesën për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së.
Zemaj ka thënë se dega së cilës i takon ka dhënë mendim unanim për nevojën e zgjedhjeve të parakohshme në parti dhe për një reflektim mbi procesin zgjedhor të qershorit.
“Unë i takoj një dege e cila ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe duhet të ketë reflektim mbi procesin zgjedhor të qershorit, domethënë në të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike, duke filluar nga kryetari edhe deri te anëtarët”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka bërë të ditur se e ka nënshkruar kërkesën për Kuvend të jashtëzakonshëm, duke thënë se deri tani janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime.
“Jo vetëm që e kam nënshkruar, por janë më shumë se 150 nënshkrime tash që kanë kërkesë për Kuvend të jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk kam njohuri a janë deponuar, por ajo çka është edhe konfirmim, edhe që u debatua me seriozitetin më të madh, ishte edhe kërkesa që të mos ketë nevojë për zgjedhje të parakohshme, domethënë që i parasheh statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
Megjithatë, Zemaj ka shtuar se gjatë diskutimeve ka pasur edhe qëndrime të tjera, përfshirë edhe mbështetjen për vazhdimin e mandatit të kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Por kishte edhe mendime që t’i jepet përkrahje kryetarit të LDK-së që të vazhdojë dhe t’u njihet si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Zemaj.
Ndërkohë, Abdixhiku, duke folur për deklaratat rreth mundësisë së mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të LDK-së, ka thënë se deri tani në parti nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e tillë.
“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri më tani. Proceduralisht, janë të lirë një e treta e delegatëve të Kuvendit, kurdo që duan, sa herë që duan, t’i deponojnë nënshkrimet për thirrje të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e rregullta të partisë duhet të mbahen sipas afateve statutare, duke shtuar se ato janë të parapara për vitin e ardhshëm.
“Një parti serioze nuk matet me sa herë një pakicë, çfarëdo qoftë ajo, deklaron mbajtje Kuvendi, por sa e respekton rregulloren dhe statutin”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka shtuar se çdo kërkesë që paraqitet në përputhje me procedurat do të trajtohet, duke theksuar se vendimet e Kuvendit janë demokratike dhe vullneti i delegatëve duhet të respektohet.
